Bjellorusia po i përdor emigrantët si armë politike

Lituania i ka bërë thirrje Bashkimit Europian që të shtojë më shumë sanksione ndaj Bjellorusisë pasi po dërgon gjithnjë e më shumë emigrantë të paligjshëm. Ministri i jashtëm lituanez, Gabrieliues Landsbergis ka akuzuar autoritetet bjelloruse për dërgimin e qindra emigrantëve kryesisht Irakianë përtej kufirit në Lituani, një vend anëtar i BE.

“Për vendin tim sot, çështja më e rëndësishme është fluksi i paparë i emigrimit. Kjo është e pashembullt, por për Evropën nuk është hera e parë që një vend evropian po përballet me këtë lloj krize, kur refugjatët përdoren si një armë politike për të ndryshuar politikën e një vendi. Ne kemi parë që Finlanda të përballet më parë, Greqia, kohët e fundit Spanja dhe tani Lituania. Prandaj Bashkimi Evropian duhet të hartojë një strategji të përbashkët se si të merret me këto lloj kërcënimesh politike”.

Lituania filloi ndërtimin e një barriere me rroje 550 km në kufirin me Bjellorusinë. Landsbergis ka deklaruar që emigrantët po përdoren gjithashtu edhe si një mjet presioni ndaj BE, e cila ka vendosur një seri sanksionesh mbi Bjellorusinë që nga zgjedhjet e diskutueshme presidenciale Gushtin e kaluar që u pasua nga një goditje policore në protestat në rrugë.

Qeveria lituaneze është shprehur se BE duhet të hartojë një paketë të pestë sanksionesh, pas listave të zeza të zyrtarëve bjellorusë që filluan si një përgjigje ndaj zgjedhjeve presidenciale. Muajin e kaluar, BE vendosi sanksione të gjera ekonomike ndaj industrive kryesore të eksportit të Bjellorusisë, dhe ndaj bankave dhe financave, në përpjekje për të goditur burimet e të ardhurave për presidentin Alexander Lukashenko, i cili ka qenë në pushtet që nga 1994.

Ndërkaq edhe agjencia kufitare e BE-së Frontex ka bërë thirrje se do të dërgojë oficerë shtesë, makina patrullimi dhe ekspertë për të biseduar me emigrantët për të mbledhur informacion nëse ata janë të përfshirë në rrjetet kriminale. Në javën e parë të korrikut, autoritetet lituaneze regjistruan më shumë se 800 kalime të paligjshme kufitare në kufirin e saj me Bjellorusinë. Ndërsa në gjysmën e parë të vitit shumica e emigrantëve erdhën nga Iraku, Irani dhe Siria.

Leave a Reply