Prishtina kërkon largimin e një anëtari të delegacionit serb
Vihet në pikëpyetje takimi mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë i parashikuar për të mërkurën në Bruksel. Gjatë kësaj të marte delegacioni i nisur nga Prishtina i kryesuar nga zv/kryeministri Besnik Bislimi u prit nga i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se temë e diskutimeve kanë qenë çështjet aktuale, duke kërkuar që marrëveshjet e nënshkruara më herët të nisin të zbatohen.
Por pas takimit me Lajçak, kreu i delegacionit të Kosovës tha se nuk do të uleshin në tryezë me palën serbe, një ditë më pas, nëse pjesë e tyre do të ishte edhe Velko Odalloviç, i cili konsiderohet si një nga bashkëpunëtorët e Sllobodan Millosheviç dhe për Prishtinën është përgjegjës për zhdukjet e mijëra personave gjatë luftës.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se do të iniciojë një procedurë për ta shpallur Odalloviç “person non grata”. Sipas Radios “Europa e lirë”, Bislimi ka biseduar me Lajçak për zbatimin e Marrëveshjes për energjinë, për atë të targave të automjeteve dhe për çështjen e të pagjeturve.
Pikërisht çështja e të zhdukurve pritej të ishte temë e takimit të së mërkurës. Në krahun tjetër Lajçak ka takuar edhe palën serbe. Beogradi ka shprehur pakënaqësi, pasi Kosova ka refuzuar hyrjen në territorin e saj të shefit të ekipit serb për dialogun, Petar Petkoviç.
Brukseli synon që në këto takime të përgatisë një tjetër takim të nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.