Disa afganë po shesin objektet e tyre më të çmuara për të financuar ikjen e tyre nga sundimi taleban, ose thjesht për të paguar për ushqimet. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres thotë se vendi po përballet me një krizë humanitare.
“Ndihma humanitare nuk do ta zgjidhë problemin nëse ekonomia e Afganistanit bie në kolaps, dhe ne e dimë se rreziku është i madh dhe se ka një mungesë dramatike të parave të gatshme”, tha ai.
Të hënën, bashkësia ndërkombëtare u zotua për më shumë se 1.2 miliardë dollarë ndihmë humanitare për Afganistanin. Ministri i jashtëm në detyrë i talebanëve gjithashtu bëri thirrje për qasje në pasuritë e huaja të vendit me vlerë prej 10 miliardë dollarësh, shumica e të cilave janë bllokuar në Shtetet e Bashkuara.
“Ne besojmë se Shtetet e Bashkuara si një vend i madh duhet të kenë një zemër të madhe. Afganistani është një vend i varfër dhe nuk duhet të trajtohet mizorisht. Ne duam marrëdhënie pozitive dhe gjithëpërfshirëse me bashkësinë ndërkombëtare, dhe u kërkojmë atyre gjithashtu që të mos shtojnë presionin mbi popullin afgan”, tha Ministri i Jashtëm në detyrë, Amir Khan Muttaqi.
Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore po u bëjnë thirrje talebanëve të respektojnë të drejtat e njeriut, dhe në veçanti, të drejtat e grave dhe vajzave, para se ato të zhbllokojnë pasuritë e vendit. Por Kina dhe Pakistani i kanë dërguar furnizime ushqimore dhe shëndetësore qeverisë në fuqi të talebanëve dhe kanë zhvilluar takime me përfaqësuesit talebanë. Ekspertët thonë se kjo mbështetje e Pakistanit për talebanët nuk është një gjë e re.
“Pakistani sigurisht që ka patur marrëdhënie me talebanët ose individë që janë pjesë e udhëheqjes talebane për një periudhë mbi 30 vjeçare”, thotë Maximilian Hess nga Instituti Kërkimor i Politikës së Jashtme.
Departamenti Amerikan i Shtetit po i bën thirrje Pakistanit që të kërkojë llogari nga talebanët, ashtu siç kishte premtuar të bënte më parë.
“Ne do të vazhdojmë të kërkojmë nga Pakistani dhe vendet e tjera në rajon që t’i përmbahen deklaratave të tyre publike në të cilat janë angazhuar për të rritur mbështetjen për popullin e Afganistanit”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.
Një analiste theksoi se për Pakistanin, India është gjithmonë një faktor në qëndrimet e tij.
“Pakistani është i shqetësuar për Indinë. India është armiku i tij numër një, dhe për këtë arsye Islamabadi dëshiron patjetër një qeveri në Afganistan që është miqësore ndaj Pakistanit, dhe jo ndaj Indisë”, thotë Manjari Chatterjee Miller nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë.
Në lidhje me Kinën, një ekspert thotë se gjëja e rëndësishme që duhet patur parasysh janë investimet afatgjata në Afganistan.
“Kina po shqyrton potencialin për investime në planin afatgjatë, bazuar në modelit që përdor në nismën e saj “Një Brez Një Rrugë” në Azinë Qendrore. Kjo përpjekje zakonisht do të fillonte me dhënien e granteve për ndërtimin e rrugëve dhe infrastrukturës në shkallë të gjerë. Planet për nisma të tilla nuk janë shpallur ende”, thotë eksperti Maximilian Hess.
Një eksperte tjetër thekson se investimi në Afganistan është një iniciativë e rrezikshme.
“Kina ka qenë shumë e kujdesshme mbi mënyrën se si do të mbështesë Afganistanin dhe në thelb Pekini nuk dëshiron të hedhë para në një vrimë të zezë pa patur garanci për mbijetesën e qeverisë ose pa patur garanci se talebanët nuk do të mbështesin grupet xhihadiste për të cilat Kina është e shqetësuar”, thotë ekspertja Manjari Chattarjee Miller.
Katari po siguron gjithashtu ndihma të mëdha mjekësore dhe ushqimore për Afganistanin, dhe po punon për të rikthyer në funksionim të plotë aeroportin e Kabulit./VOA