Shtetet e Bashkuara thanë të Shtunën se do të shtojnë fluturimet e dëbimit për mijëra emigrantë që vërshuan në qytetin kufitar të Teksasit, Del Rio, ndërsa autoritetet po përpiqen të lehtësojnë një krizë në rritje për administratën e Presidentit Joe Biden.
Emigrantët që hynë në qytet, shumë prej tyre Haitian, po mbaheshin në një zonë të kontrolluar nga Dogana e SHBA dhe Mbrojtja e Kufirit (CBP) nën Urën Ndërkombëtare Del Rio, përgjatë lumit Rio Grande në Meksikë.
Pamjet tregojnë mijëra njerëz nën dhe rreth urës dhe më shumë duke ecur përtej lumit, me sendet e tyre në krah .
Autoritet thanë se “do të siguronin transport shtesë për të përshpejtuar ritmin dhe për të rritur kapacitetin e fluturimeve të largimit për në Haiti dhe destinacione të tjera brenda 72 orëve të ardhshme”.
Ndërkohë kjo ngjarje është përdorur menjëherë nga Republikanët e Teksasit për të sulmuar Biden.
Senatori Ted Cruz shkroi në Tëitter, se: “Askush që në të vërtetë nuk sheh atë që po ndodh mund të mendojë se politikat çnjerëzore të Biden kanë kuptim.”
Policia kufitare ka dërguar 400 efektivë shtesë për të “përmirësuar kontrollin e zonës”, tha Departamenti i Sigurisë Kombëtare në një deklaratë, duke zbuluar planet e tij për të kontrolluar situatën.
Autoritetet kufitare janë mbingarkuar nga numri i emigrantëve që kalojnë nga Meksika duke kërkuar pranimin në Shtetet e Bashkuara, si dhe një fluks emigrantësh nga Afganistani, pas marrjes nën kontroll të talebanëve.
Qeveria amerikane dëboi më shumë se 200,000 emigrantë në kufi në korrik dhe gusht, numri më i lartë në më shumë se një dekadë.