Ilir Meta ka komentuar deklaratat e ambasadorit amerikan Donald Lu lidhur me gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar që mbajnë orë të shtrenjta. Në një intervistë për “Studio e Hapur” ai tha se konstatime të tilla nuk janë standardi për të folur për reformën, pasi ajo kërkon transparencë dhe vizion. Gjithsesi Meta tha se pajtohet me disa nga shqetësimet e ambasadorit amerikan.”Nuk mendoj që është ky standardi për të folur për reformën. Është ora më e mirë në botë për mua, se frekuentoj pishina e sauna është më e lira dhe më e pazëvendësueshmja. Por reforma është diçka më komplekse. E kam dëgjuar dhe pajtohem me disa shqetësime të tij. Nuk flas me skenare, me paramendime. Ai që di diçka duhet ta bëjë publik që sot. Pastaj se kujt i prishen pushimet është çështje tjetër. Të ndëshkohen të gjithë zyrtarët, politikanët, qeveritarët, kush shkel ligjin. Por nuk bëhet reforma për këto çështje. Reforma në drejtësi bëhet për të zhvilluar ekonominë e këtij vendi. Problemi më i madh sa veta do të fusim në punë. Janë gati 80 mijë vetë që janë larguar nga vendi.”.
I pyetur për adresimet e ambasadorit Lu për deputetë e ministra të korruptuar , Meta tha se për çdo shqetësim të tillë ambasadori amerikan duhet t’i drejtohet prokurorisë.”Ju për këtë çështje duhet të pyesni ambasadorin. Qëndrimi im është ky, cilindo që ka fakte, prova, evidenca për çdo qytetar për korrupsion duhet t’ja çojë drejtësisë, kryeministrit ose mua”-deklaroi Meta. Kreu i kuvendit foli edhe për akuzat ndaj LSI-së duke shprehur një lloj habie për sulmet ndaj partisë që ai drejton. “Nuk e kuptoj pse sulmohet LSI, unë jam i sjellshëm me të gjithë”-theksoi Meta.