Qe nga rastet e grabitjeve të bujshme e deri të rrëmbimi i personave kyç në ngjarje të rënda kriminale, të gjitha ngjarje të rënda, mbajnë firmën e autorëve të maskuar si policë.
Vetëm përgjatë dy viteve në 5 ngjarje kriminale, uniforma e policisë ka bërë që, jo vetëm autorët të mos identifikohen, por ngjarjet të mbeten të pazbardhura.
Pas rrëmbimit mafioz dhe ekzekutimit të Gazmend Çollakut në Durrës nga persona të maskuar si efektivë policie, për herë të parë, forcat speciale të kriminelëve u shfaqën në grabitjen e biznesit të familjes Frroku. Në prill të vitit 2014, Banda e Babagjyshave zgjodhi uniformat speciale të policisë, për të grabitur biznesin e familjes Frroku në Kombinat. Të kamufluar me një automjet me targa greke, xhama të zinj dhe një tabelë policie, 4 anëtarët e bandës futen për në ambientin e basteve sportive në pronësi të familjes së deputetit Mark Frroku. Nën kërcënimin e armëve, ata morën kursimet e arkës së dy bizneseve.
Një vit më pas, në një tjetër ngjarje të rëndë, kamuflazhi i policisë shërbeu për të rrëmbyer një person. Enver Stafuka, i cili u akuzua në vitin 2013 si personi që vodhi makinën që u përdoru për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt u rrëmbye nga 4 persona të maskuar si efektivë. Rrëmbimi i tij u bë në Fushë Krujë ku 43-vjeçari sapo hipte në mjetin e tij. Ai u mor forcërisht u prangos dhe më pas grabitësit e hipën në një automjet, i cili më pas u drejtua për nga qyteti i Durrësit. Për fatin e Enver Stafukës, policia nuk ka ende asnjë të dhënë.Në një tjetër ngjarje të rëndë, sërish persona të kamufluar si efektivë policie grabitën me armë makinën e një kompanie të sigurisë private. Grabitja ndodhi brenda pak sekondave në rrugën dytësore të autostradës Tiranë-Durrës, ndërkohë që agresorët arritën të merrnin dy thasë me para me një vlerë prej 5 milionë lekësh. Makina që ata përdorën, u gjet e djegur në afërsi të mbikalimit të Kasharit. E njëjta skemë u përdor dhe në grabitjen e mbi 3 milionë eurove të një banke të nivelit të dytë. Sasia e parave po transportohej për në Rinas, ndërkohë që kamuflazhi i policisë dhe thirrjet ndal policia, bënë që rojet e sigurisë të ndalonin makinën. Grabitja ishte shume e lehtë, pasi nuk hasën në rezistencën e efektivëve privatë, ndërkohë që automjeti i përdorur nga grabitësit u dogj për të humbur gjurmët.
Shfaqja e të njëjtëve elementë në këto ngjarje ka ngritur dyshime të forta tek policia, se kemi të bëjmë me një grup të strukturuar që vepron me forma mafioze, ku nuk përjashtohet dhe bashkëpunimi me elementë të inkriminuar brenda radhëve të uniformave blu.