Letër nga Shkupi
Si edhe viteve të kaluara, edhe në vitin 2022, duke u bazuar në rezultatet e shpallura rreth konkursit për financimin e projekteve në veprimtarinë e dramës, teatrot shqiptare në Maqedoninë e Veriut sërish u shmangen autorëve shqiptarë, duke u koncentruar vetëm te autorët e huaj. Politikat e këtilla janë vetëm edhe një dëshmi se drejtuesit (shqiptarë) e teatrove zgjedhin rrugën më të shkurtë të realizimit të planeve të tyre, por duke injoruar autorët shqiptarë, thjeshtë për shkak të disa matematikave që ndërlidhen kryekëput me lekun.
Një mentalitet i tillë bizantinë që e dëmton dukshëm kulturën shqiptare është bërë kod funksionimi i teatrove “shqiptare”. Në mungesë të këshillave artistik, planet dhe aplikimet bëhen ad hoc, varësisht preferencave partiake dhe sasisë së mjeteve financiare që mund të përfundojnë në ndonjë xhep që gjendet në anën tjetër të perdeve pasi të përfundojë shfaqja dhe pasi të fiken dritat.
Vijnë në shprehje autorët e huaj, sepse ata nuk paguhen, veprat e të cilëve realizohen lehtësisht, sepse “regjisorët” që s’kanë individualitet dhe që pajtohen me çdo kockë që ua hedh ai që e drejton teatrin, hynë në platforma të ndryshme interneti (p.sh. youtube), ku shohin realizimet e teksteve të zgjedhura për ta nga ana e teatrove të ndryshme anë e mbanë botës dhe sakaq, me disa modifikime amatorësh, e kanë të gatshëm realizimin e shfaqjes (nëse dikush ka dilema, fare lehtë mund të bindet përmes Yotube). Nga kjo del se jo që kemi regjisorë të dëgjueshëm, që marrin çfarëdo që ofrojnë, por janë edhe plagjiatorë, me të cilën dukuri, fatkeqësisht askush nuk merret. Pranvera nuk vjen me një lule, thotë një proverb popullor.
Është e habitshme se krahas regjisoreve, pa individualitet janë edhe aktorët, të cilëve kurrë ama bash kurrë nuk iu është dëgjuar zëri për këtë dukur që është mbi të gjitha anti-shqiptare. Kurrë, ama bash kurrë nuk e kanë shtruar pyetjen se pse karriera e tyre përmbushet vetëm me role të shkruar nga autorë të huaj. E as nuk pyesin se a ka në këtë pjesë të hapësirës shqiptare shkrimtarë shqiptarë që shkruajnë edhe drama. Natyrisht, për drejtuesit që i emëron partia nuk ka, ndaj dhe programet e tyre përmbushen me autorë të huaj, me të cilët “kalojnë” lehtë dhe nuk kanë probleme.
Në horizonte nuk shihet zgjidhja e këtij mjerimi që ka katandisur këto teatro, ku veprat e autorëve shqiptarë rrallë kanë fatin të interpretohen para publikut shqiptar. Ndërkaq te pala maqedonase është krejt ndryshe. Repertori i teatrove të tyre dominohet kryesisht me autorë maqedonas, për të cilët parashihen edhe shpërblime dinjitoze. Ata mendojnë për kulturën maqedonase, kurse shqiptarët për “kulturën” e xhepit, e cila “kulturë” zhvillohet edhe përmes heshtjes së “regjisorëve” e “aktorëve”, të cilët as vetë nuk e dinë se në fakt ata aktrojnë injorancën…/HEJZA/