Midis nesh
Po qarkullojnë informacione (që më tepër ngjasojnë si propagandë ruse!) se shumë shtete perëndimore paskan marrë masa të çuditshme kundër artit dhe kulturës ruse! Paskan ndaluar autorë klasikë rusë, kompozitorë, vepra baleti, shfaqje teatrore dhe çfarëdo bashkëpunimi kulturor me Rusinë putiniane! Natyrisht, “akademikët” prorusë (sidomos të botës ortodokse) kanë reaguar kundër masave antikulturore të këtyre shteteve perëndimore! Një lojë perfide e rusfilëve që angazhimin gjenocidal kundër ukrainasve ta zbresin në “rrafshin kulturor” dhe, duke e problematizuar këtë “masë evropiane”, duke e sjellë edhe një herë në vëmendje kulturën dhe veprimtarinë kolosale të artistëve rusë, të shprehin gjithë admirimin për Rusinë e putinizuar dhe nën këtë “aurorë kulturore” të justifikohet çdo gjë që ndërmerret nga ushtria agresore që nuk po i përton për të hedhur bomba madje edhe nëpër maternitete ukrainase e në centrale bërthamore.
Sot, në fillim të marsit të këtij moti, shkrimtari ynë, Shpend Topallaj, autorë i më se shtatëdhjetë veprave nga të gjitha gjinitë, pesë prej të cilave të përkthyera edhe në rusisht, i drejtohet me letër publike ambasadorit të Federatës Ruse në Tiranë, Mikhail Afanasievit, të cilin e njofton se e kthen mbrapsht çmimin “Pushkin” të akorduar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Rusisë, me motivacion “Për bukurinë e fjalës dhe të mendimit”!
“Zoti ambasador! Duke qenë se jeni përfaqësuesi zyrtar i atij vendi, ku nuk shoh asnjë reagim nga ana e intelektualëve dhe sidomos shkrimtarëve, për të dënuar çmendurinë e qeverisë tuaj, edhe kur popujt po kërcënohen me përdorimin e armëve bërthamore, pra me zhdukjen e njerëzimit, çka më bën të ndihem i turpëruar nga heshtja e tyre miratuese, jam i detyruar t’u bëj me dije se çmimin “Pushkin” që dikur më bënte krenar, ta kthej mbrapsht. Kjo le të jetë edhe shprehje e solidaritetit me rezistencën e popullit ukrainas”, thotë shkrimtari Shpend Topallaj!
Tashmë shkrimtari shqiptar e hodhi hapin i pari! Mbase do të merret shembull edhe nga shumë artistë botërorë të dekoruar me çfarëdo çmimi rus në sferën e kulturës. Sepse, në tërë Rusinë po protestohet, deri më sot janë burgosur mbi 6 mijë protestues kundër luftës në Ukrainë; po protestojnë nënat, motra, vëllezërit e ushtarëve që për shkak të tekeve të sëmura të Putinit, janë dërguar në Ukrainë “mish për top”; po protestojnë vetë ushtarët, po dezertojnë, po i dorëzohen ushtrisë ukrainase, ndërsa deri më sot, nuk u dëgjua asnjë protestë nga esnafi i artistëve, i krijuesve, i kulturologëve rusë, asnjë aktivitet kulturor kundër agresionit rus në Ukrainë.
Nuk ka nder më të madh se sa kur të akordohet një çmim ndërkombëtar në fushat e kulturës. Kjo ngjarje kurrë nuk mund të zhbëhet! Kthimi mbrapsht i çmimit të akorduar është vetëm një gjest solidarizimi me palën që po vritet. Nuk është akt “nazist”, nuk është urrejtje kundër kulturës, kundër emrave dhe veprave të paarritshme të artistëve rusë, thjesht është një ngacmim moral për t’u rebeluar të gjithë kundër atij që si përfaqësues i kulturës madhështore ruse, vret njerëz të pafajshëm dhe i shkon mendja të bombardojë edhe në maternitet, madje edhe në centrale bërthamore, për më tepër, kërcënohet se do të përdorë raketa bërthamore mbi të gjithë ata shtete që do ta ndihmojnë ushtarakisht Ukrainën! Të kërcënohet se do hedhë atom mbi kulturën franceze, italiane, spanjolle, irlandeze, angleze, gjermane, suedeze etj, ndërsa për këtë çmendi të kihet mirëkuptim sepse kjo bëhet nga i çmenduri i “kulturës ruse”, kjo vërtetë që i tejkalon të gjitha virtytet humane. Kultura ruse, artistët e krijuesit rusë, sa më parë duhet të deputinizohen! Ajo që është kulturë ruse, i ka mbijetuar edhe diktatorit më të tmerrshëm të të gjitha kohërave, Stalinit, dhe sot nga bota mbarë kjo kulturë nga e kaluara ruse vlerësohet si trashëgimi e padiskutueshme kulturore dhe, nëse sot kjo botë “përjashton” vlerat kulturore ruse, e bën këtë ekskluzivisht nga mospasja fuqi për ta penguar putinizimin e këtyre vlerave të paarritshme kulturore ruse. Kjo pastaj i përket si detyrë patriotike vetë krijuesve dhe artistëve rusë! Disidenca artistike gjithmonë është trajtuar si vlera më e lartë e personaliteteve të kombit. Sot, askush nuk mërzitet pse Stalini shahet, por pse “ndalohen” klasikët e kulturës ruse! Putini një ditë do të ecë, por çfarë do të bëhet me përbaltjen e kulturës ruse, duke e lejuar putinizimin e saj! Do të kemi një “kulturë agresive”?! Edhe në kulturë do të ngrisim masa reciprociteti? Sa do të na pranoni, aq do t’ju pranojmë! A është ky fundi i globalizmit, si trend i gërshetimit të të gjitha kulturave në “kulturë botërore”! Mos është edhe kjo një strategji kombëtare ruse për ta ushqyer edhe më shumë polarizimin politiko-fetar të kulturave botërore në “kultura e lindjes”, “kultura e perëndimit”! Topallaj, letrën e vet drejtuar ambasadorit rus në Tiranë, e përfundon: “ Me këtë gjest mendoj se do të jem më i nderuar si njeri dhe si shkrimtar, pasi e kam të qartë fundin e kësaj aventure kaq të rrezikshme”! /HEJZA/