I pabesi gjithnjë të pret në besë

Sapo paska deklaruar Shaqir Fetai se, sivjet, haxhilerët nga Maqedonia e Veriut do të bëjnë një “super haxh”! Prandaj edhe qenka çmimi i lartë, sepse Shaqir Fetai qenka angazhuar që sivjet haxhilerët të kalojnë një haxh të mrekullueshëm! E kush ia kërkoi Shaqir Fetait një nder të tillë? Deklarata e tij u vërshua nga qindra komente – të gjitha sharje e përbuzje! Që të gjitha

Shkruan Murtezan Veseli

Si e mendon Shaqir Fetai “super haxhin”? I bie që një “super namaz” të jetë ai që falet në postaqinë super të butë të arushave të bardha! Një “super shahadet” të deklarohet pasi të bëhet remiski i tij, apo, me ndonjë mikrofon kompjutorik i cili këndimin e “super shahadetit” ta nxjerrë me zëra të mrekullueshëm! Ose, një “super zeqat” i bie që, për shembull, Shaqir Fetait t’i falet një porshe përplotë me dollarë!
Shaqir Fetai duhet të pranojë se ka kalkuluar shumë fort me periudhën dyvjeçare të pandemisë me ç’rast nuk pati kryerje të haxhit. U akumulua një numër kandidatësh të cilët e kanë ëndërr jetike kryerjen e haxhit. Dhe, Shaqir Fetai u tha myslimanëve të vendit, të regjistrohen, sepse, sivjet do të shkohet! Mrekullueshëm, të gjithë ata që ishin të gatshëm që të nisen sivjet, qenkan regjistruar dhe, ditën kur Shaqir Fetai ua bëri publik çmimin e haxhit të sivjemë, prej 5700 euro, po atë ditë kumtoi se tashmë është plotësuar numri i haxhilerëve i paraparë në kuotën e caktuar për myslimanët e Maqedonisë së Veriut nga Ministria e Haxhit e Arabisë Saudite!
Asnjë prej kandidatëve nuk kishte njohuri paraprake mbi çmimin, ndërsa tashmë kanë përhapur llafe se janë kandidatë për haxh të sivjemë dhe për këtë tashmë janë regjistruar! Si të ç’regjistrohen tani e të përballen me epitetin ironzues “haxhi pishmani”! U paraqitën për të zënë vend, duke besuar se për dallim prej herës së fundit, çmimi i haxhit të sivjemë do të rritej nja 2-300 euro, hajde më së shumti 500 euro! Tani, që të gjithë haxhilerët e paraqitur më herët po ndjehen të prerë në besë. Epo, i pabesi gjithnjë ka prerë në besë. Prej Shaqir Fetait, të pabesit, nuk mund të pritet që të ta kthejë me nder besimin që ke për të, sepse, kjo e neverikos atë, kjo e mërzit, kjo e nxjerr përtej lëkurës së vet! Ai thellë në vete e di që është i pabesë, ndaj dhe nuk ka dëshirë që askush t’i zëjë besë, dhe, nëse dikush i zë besë, do të zhgënjehet shumë keq!
Paramendoni, hoteli në Medine qenka shumë afër, 100-150 metra larg Xhamisë së Pejgamberit a.s. Shaqir Fetai rrenë sa është i rrumbullakët, aq më tepër pastaj rrenë kur thotë se edhe në Qabe hoteli qenka shumë afër, nja 1000-1500 metra larg! Shaqir Fetai vetë ka qenë në haxh, atëherë kur i humbnin haxhilerët e Gostivarit dhe, ndonëse ka qenë shumë më afër, hotelet nuk kanë qenë problem për ta ngritur çmimin e haxhit në 5700 euro! Shaqir Fetai thotë se do të rrotullohen shumë shpesh autobusët (mos o Zot! Mos dëshiron të thotë se do të qarkulljnë shpesh autobusët), të cilët do t’i bartin haxhilerët gratis nga hoteli për në xhami dhe anasjelltas! Ndërsa në shpjegimin e thatë mbi çmimin e haxhit të sivjemë, Shaqir Fetai thotë se brenda çmimit përfshihet edhe transporti brenda Arabisë Saudite! Ku është këtu “rrotullimi falas”?
Shaqir Fetai nuk e gjenë të arsyeshme që të dalë publikisht para opinionit dhe të tregojë në hollësi se pse ky çmim kaq i lartë, çka paguhet prej këtij çmimi në haxh, dhe ku do të shpenzohen praktikisht këto të holla prej 5700 eurove!
Por, si një skuth e një gënjeshtar tashmë i dëshmuar, Shaqir Fetai deklaron në një televizion nacional: “Këtë vit do të kemi një çmim më të lartë se viteve që është organizuar, viteve të fundit, për arsye se tashmë Arabia Saudite ka vendosur kushte të veçanta për shkak të coronavirusit. Tashmë paguhet gjithçka në Arabinë Saudite ka shumë çështje që kanë qenë pa pagesë e tashmë kanë vendosur pagesë, biles kanë vendosur edhe TVSH, çdo pagesë do të ketë TVSH”!
Çmimi qenka kaq i lartë për shkak se Arabia Saudite paska vendosur kushte të veçanta për shkak të koronavirusit? A ka shpjegim më idiotik se ky?! Po për haxhilerët e rajonit që kanë çmime shumë më të ulët se të bashkësisë “fetare” të Shaqir Fetait – për këta nuk ka kushte të veçanta për koronën a? Le t’i numërojë vetëm tri çështje që dikur paskan qenë pa pagesë ndërsa sot Arabia Saudite i paska bërë me pagesë ndaj dhe qenka rritur çmimi! Si shpjegohet, pra, kjo rritje e çmimit? Ka vetëm një shpjegim!
Le ta bëjë publike kontratën e sekretarit gjeneral të Shaqir Fetait, Irsal Jakupit, me hotelin në Meke më vitin 2019, dhe le ta shohin mbarë opinioni se si u vodhën vetëm nga kjo kontratë fiks mbi 1 milion rialë! Po qarkullon diku deklarata e arabit, pronarit ë hotelit në Medine, i cili dëshmon se myslimanëve nga Maqedonia e Veriut i ka lënë një çmim të leverdisshëm, aq sa është paguar në të vërtetë, por që është dashur të nënskruajë një kontratë kinse çmimin ua ka caktuar më të lartë e që ishte gati dyfishi i çmimit! Natyrisht, thotë arabi, më është paguar tërë shuma që ua kam caktuar kurse pjesa tjetër ka hyrë në xhepin e Irsal Jakupit! Po në Meke? Po në transport? Po në shitjen e vizave!
Sa më i lartë çmimi, më të favorshme mundëstë për vjedhje më të madhe! Kjo i intereson Shaqir Fetait dhe jo “super haxhi” i myslimanëve të vendit! Nëse ka pasur mundësi për çmim më të vogël dhe që garanton kryerjen në mënyrë sa më modeste të haxhit – këtë do ta kishin zgjedhur myslimanët e vendit, dhe jo dëshirën e sëmurë të Shaqir Fetait për një “super haxh”! Por edhe besatimet e Shaqir Fetait për një “super haxh”, në vendin e ngjarjes do të zvetënohen nga prerja në besë. Sepse, Shaqir Fetai një jetë të tërë e ka kaluar duke prerë njerëz në besë. I pabesi këtë punë ka! Kush i zë besë ORAO-s, e gëzoftë!

 

Leave a Reply