Midis nesh
A mundet që vlerat e kulturës të shprehen statistikisht? Kundruar nga këndvështrimi populist, kjo edhe mund të ndodhë, porse, megjithatë, statistika publike, institucionale, nuk paraqet kurrfarë tendence dhe angazhimi që të pasurohemi kulturalisht!
Gjuha shqipe është një prej gjuhëve më të vjetra në botë dhe jo vetëm studimet përkatëse linguistike, por edhe angazhimet politike e shtetërore për ta stimuluar ruajtjen dhe njohjen sa më të thellë të kësaj gjuhe, në situata postpolitike do të shprehte devotshmëri kulturore, por edhe një arsye më shumë (për maqedonasit) për të kërkuar respekt ndaj gjuhës përkatëse të popullit që angazhohet edhe në lartësimin e gjuhës shqipe!
Çka flet qëndrimi normativ dhe institucional maqedonas se në Maqedoninë e Veriut mund të flitet edhe gjuha tjetër, të cilën e flasin 20 për qind nga numri i përgjithshëm i qytetarëve të vendit! Madje kjo gjuhë e 20 përqindëshit (pra, jo gjuha shqipe) mund të jetë edhe zyrtare! Ku është vlera kulturore në këtë shifër statistikore?
Në fakt, ky numër statistikor paraqet, siç thotë Pol Tager, “shpirtin e zbrazët” të populizmit të partive djathtiste e majtiste, të cilët mundohen që ta përmbushin me qëndrime e vlerësime vulgare ndaj kundërshtarit. Partitë maqedonase nuk kanë kundërshtarë parti shqiptare, por kundërshtar e kanë tërë një komb me të gjitha vlerat e saj kulturore! A ka më vulgaritet se sa një gjuhë me vlera të patejkalushme gjuhësore dhe kulturore ta normëzosh me ligj si “gjuhë e 20 përqindëshit”!
Angazhimi populist për një gjuhë instrumentale (për një gjuhë si mjet komunikimi), tash e tri dekada ka bërë që organizatat dhe institucionet kulturore të raportojnë mbi të arriturat e tyre, ndërkohë që, politikat racionale shtetërore do të kërkonin raportim mbi të arriturat integruese dhe përafruese në rrafshin kulturor. Shtetet e përfshira në Bashkësinë Evropiane ka kohë që kanë përfunduar me kulturimin e organizatave që merren me kulturë! Gjuha instrumentale anashkalon kulturën, kurse gjuha shqipe është kulturë, pa dyshim!
Nëse i analizojmë politikat kulturore evropiane të shprehura në programet Kultura 2007-2013 dhe në Evropa Kreative 2014-2020, do të vërejmë se në programin e parë, BE-ja, në rrafshin kulturor, angazhohej për afirmimin e vlerave të krijuesve dhe të kulturave evropiane dhe, në veçanti për ruajtjen dhe afirmimin e trashëgimisë kulturore, kurse në programin e dytë angazhohet kryesisht në promovimin e vlerave kulturore evropiane dhe, në veçanti, në promovimin dhe kultivimin e diversitetit gjuhësor si vlerë e patejkalueshme e kulturës evropiane. Në BE asnjë gjuhë nuk perceptohet si numër statistikor! BE-ja këmbëngul të shndërrohet në një fushë të gjerë të vërshuar nga vlerat kulturore, ndërsa ky diversitet kulturor të ofrojë fruta të cilat duhet t’i shijojë çdo qytetar evropian!
Në situatat postpolitike zhduket populizmi, lind shteti për një shoqëri të përbashkët e me një mirëqenie që buron nga vlerat e llojllojshme kulturore. /HEJZA/