Midis nesh
Më 27, 28 dhe 29 tetor në Korçë të Shqipërisë u mbajtën Ditët e kulturës maqedonase që, sipas organizatorëve, u vlerësuan si tri ditë të paharrueshme. Kjo do të thotë se artistët maqedonas që prezantuan kulturën e tyre në Korçë u ndanë mjaft të lumtur dhe të entuziazmuar nga prezenca në këtë qytet me traditë të bujshme historike dhe kulturore.
Në ngjarje të tilla ku prezantohet kultura maqedonase, shqiptarët, edhe përkundër faktit se numerikisht janë popullatë e dytë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për shkak të rrethanave dhe veçorive të njohura, nuk mund të jenë pjesë e kulturës maqedonase.
Në fakt, kulturën shqiptare në botë e prezantojnë artistët shqiptarë nga Shqipëria, kurse atë kosovare (ndonëse kombi kosovar është nocion i papranueshëm nga shumica e shqiptarëve) artistët nga Kosova. Tash shtrohet pyetja: po si ta prezantojnë kulturën e tyre shqiptarët nga Maqedonia e Veriut, ata nga Mali i Zi dhe nga Lugina e Preshevës, të cilët gjithashtu nuk mund të përfshihen në kulturën malazeze dhe serbe.
Fatkeqësisht, sidomos muajve të fundit, kemi pasur mjaft artistë maqedonas (edhe pse akoma ka mediume e individë në Shqipëri që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut i trajtojnë si maqedonas) që ishin prezent në ngjarje të ndryshme kulturore, gjithandej hapësirave të Shqipërisë, kurse prezenca e shqiptarëve nga kjo Republikë nuk ishte as simbolike.
Të jemi të qartë: kulturën maqedonase, serbe e malazeze në Shqipëri mund ta prezantojnë vetëm artistët maqedonas, malazezë dhe serbë dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. E keqja është se shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë e Kosovës e që për shkak të rrethanave të njohura u detyruan të bashkëjetojnë me maqedonas, serbë e malazezë, janë pothuaj të bllokuar, përkatësisht nuk kanë mundësi të prezantojnë pasurinë e tyre shpirtërore (përjashto rastet individuale).
Prandaj, kjo është një temë që duhet trajtuar seriozisht. Çdo prezantim i kulturës shqiptare jashtë Shqipërisë, duhet përfshirë edhe segmente të asaj që krijohet në hapësirat tjera shqiptare, sepse kultura shqiptare ka një bosht identiteti dhe nuk duhet lënë që nga jashtë të duket e fragmentarizuar.
Por, për të arritur deri te kjo, shqiptarët së pari duhet të njihen midis vete. Shqiptarët në Tiranë dhe Prishtinë duhet të kenë më shumë njohuri për atë se çfarë prodhojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi e në Luginën e Preshevës në lëmin e letërsisë, dramës, muzikës, folklorit, arkeologjisë, artit figurativ, çfarë trashëgimi kulturore posedojnë e kështu me radhë. Tirana, mbase edhe Prishtinë, kanë përgjegjësi morale, por mbi të gjithë kombëtare, që të jenë më afër shqiptarëve nga hapësirat tjera ballkanike, me qëllim që të mos ndjehen të vetmuar dhe të humbur, sepse aktualisht, në këtë plan, ata janë as në qiell, as në tokë….
/HEJZA/