Ish-presidenti brazilian Jair Bolsonaro është shtruar me dhimbje barku në një spital në Florida. Kjo vjen një ditë pasi, mijëra mbështetës të tij sulmuan zyrat e qeverisë në kryeqytetin brazilian.
Ishte vetë ish-presidenti i cili me anë të një postimi në Twitter, shpërndau një foto të tij nga shtrati i spitalit.
Më herët, në një postim në Instagram Michelle Bolsonaro konfirmoi se bashkëshorti i saj ishte nën vëzhgim për shkak të shqetësimit në bark. Një burim i afërt me familjen tha se gjendja e tij nuk ishte shqetësuese.
Bolsonaro u largua nga Brazili për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth 10 ditë më parë. Ai refuzoi të merrte pjesë në dorëzimin e pushtetit tek Presidenti i ri, Luiz Inácio Lula da Silva, javën e kaluar.
Ndërkohë, Presidenti amerikan Joe Biden po përballet me presion nga anëtarët e partisë së tij për ta larguar Bolsonaro nga vendi.
“Bolsonaro nuk duhet të jetë në Florida”, tha përfaqësuesi demokrat Joaquin Castro për CNN. “Shtetet e Bashkuara nuk duhet të jenë strehë për këtë autoritar që ka frymëzuar terrorizmin e brendshëm në Brazil. Ai duhet të kthehet në Brazil.”
Alexandria Ocasio-Cortez, një tjetër demokrate në Kongres, në një postim në Twitter i bëri po ashtu thirrje SHBA-ve që të mos e strehojnë Bolsonaron në Florida.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan tha të hënën se SHBA nuk ka marrë asnjë kërkesë zyrtare nga qeveria braziliane në lidhje me vizën e Bolsonaro.
Bolsonaro u godit me thikë gjatë një mitingu në shtetin e Minas Gerais në shtator 2018. Më vonë po gjatë atij viti, ai fitoi zgjedhjet zgjedhjet presidenciale. Në tetor të vitit që lamë pas, Bolsonaro humbi ngushtë përballë Lulës, pas një fushate përçarëse./tvklan.al