Biden informon G7: Të nevojshme për kundërofensivën
Ashtu si me tanket edhe me avionët luftarakë, vendet e mëdha perëndimore fillimisht refuzuan, por tani do t’ua japin ukrainasve për t’i bërë ballë luftës ruse.
Presidenti amerikan Joe Biden informoi liderët e vendeve partnere të G7-ës se do të lejojë aleatët t’u japin avionë F-16, të cilët fluturojnë deri në 860 kilometra pa ndalesa dhe të kthehen në pikën e nisjes, e po ashtu të godasin me precizion objektiva në tokë e të mbrohen në ajër nga avionët kundërshtarë.
Këshilltari i Biden për sigurinë kombëtare Sullivan tha në Uashington se vendimi për t’iu dhënë avionë luftarakë ukrainasve erdhi pasi konflikti në terren ka ndryshuar dhe këto mjete do iu japin atyre përparësinë e shumëpritur para kundërsulmit të madh për të zmbrapsur rusët nga territoret e pushtuara.
Shtetet e Bashkuara do të trajnojnë pilotët ukrainas. Danimarka është ndër të parat vende që njoftoi se do të dërgojë disa avionë F-16 në Ukrainë.
Zelensky falenderoi Uashingtonin për lajmin e shumëpritur, pasi mbërriti në Hiroshima ku do të jetë pjesë e ditës së tretë të samitit të G7-ës të dielën.