Nga Mimoza Lakna
Hasan Zeneli, ish luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, çdo ditë e më shumë po i shton akuzat kundër bashkëluftëtarëve, për vrasjen e Komandantit Zahir Pajaziti.
Në një shkrim për përkujtimin e dëshmorëve Afrim Zhitija e Fahri Fazliu, Zeneli ka shkruar se të njëjtit që tradhtuan Afrim Zhitinë e Fahri Fazliun, tradhtuan dhe vranë pas 10 viteve, Zahirin, Hakifin dhe Edmondin.
“Të njëjtit njerëz që tradhtuan Afrim Zhitinë e Fahri Fazliun, tradhtuan dhe vranë pas 10 viteve, Zahirin, Hakifin dhe Edmondin. Po të njëjtit njerëz vranë Harun Aliun. Po ashtu 2 vjet më vonë, tradhtuan “Grupin e Kumanovës”. Këta njerëz”Bisha”, ende mblidhen nëpër qeverinë e Kosovës dhe atë të Maqedonisë. Kjo është një analize e imja. Ju analizojeni , si te doni. Nderim për dëshmorët, vdekje për këta njerëz që tradhëtuan bijtë e kombit tonë”, ka shkruar Zeneli.
Në një postim tjetër, Zeneli përmend edhe emrin e deputetit Nait Hasani lidhur me këtë rast. Mirëpo, i pyetur nga “Bota sot”, deputeti Hasani nuk ka pranuar të përgjigjet.
Analisti Skënder Zogaj, ka thënë për “Bota sot”, se, gjithë këto raste janë të zgjedhura dhe përfundohen lehtë por nuk ka vullnet politik të zbardhen pasi shumë ”super heronj”, e lider të luftës pas luftës por edhe të para luftës do të dilnin dele të zeza të kombit tonë.
“Zahiri e shumë të tjerë si Zahiri, Ademi, Salihu, Toni, Muja. Kanë rënë në prita të tradhtisë për këta jam i bindur 100%. Vrasja e komandantit Zahir Pajaziti është tepër sinjifikative, sepse rrethanat në të cilat ka ndodhur, lënë shumë për t’u dyshuar, duke qenë se janë paraqitur edhe publikisht, bashkëluftëtar të Zahirit të cilët, ofrojnë dëshmi që i përafrohen mundësisë së vrasjes me tradhti. Ka pasur mjaft opinione dhe deklarata publike, të cilat mendoj se duhet të hetohen nga drejtësia, në mënyrë që, heroi i popullit të mos mbetet temë e kuluareve dhe thashethemeve të matrapazëve, por të zbardhet dhe të fiksohet e vërteta”, ka thënë Zogaj.
Në këtë drejtim, sipas Zogajt, sidomos do të duhej të mos mungonte guxim i shokëve të grupit të Zahirit, i të gjithë atyre me të cilët ka qenë aktivisht i ndërlidhur në çastet e fundit të jetës së tij, duke qenë se, është vrarë në kuadër të një aksioni konkret, për të cilin të gjitha faktet flasin se e ka ditur një rreth më i gjerë i shokëve të tij.
“Në kohë luftë gjithçka është e mundshme, prandaj arsyetimi është gjithmonë i pranueshëm, mirëpo, vetëm kur thuhet e vërteta e plotë, atëherë mund të sqarohet edhe “tradhtia” që mund të jetë e paevitueshme. Akuzat e kohëve të fundit janë shumë domethënëse dhe, nuk duhet të heshtën, por të zbardhen sepse, ngjarjet dhe figurat madhore të lirisë nuk duhet t’i lëm nën hipoteka. Më e mirë është e vërteta e hidhur, se sa rrena e ëmbël!”, ka thënë Zogaj.
Ndërkaq, Naim Miftari ish luftëtar i UÇK-së, thotë se Zahir Pajziti llogaritet njëri ndër komandantët kryesor të ish UÇK-së. Ai ka potencuar se vrasja e tij ishte nder goditjet më të rënda dhënë UÇK-së nga ana e sigurimit dhe shtetit serb kundër luftërave të lirisë.
“Strategjia e tij guerile ishte vdekjeprurëse për okupatorin serb dhe rrëzimin e mitit se Serbia kinse është e pa mundur ushtarakisht. Vrasja e tij ishte nder goditjet më të rënda dhënë UÇK-së nga ana e sigurimit dhe shtetit serb kundër luftërave të lirisë. Zahiri këto veti ushtarake i kishte të lindura dhe disa i përvetësojnë në Shqipëri kur ishte dërguar më 1991 me qindra djem tjerë të merrnin njohurit bazë të luftës guerile kundër pushtuesit serb. Dihet se këto grupe ishin dërguar me ndihmën e qeverisë së Kosovës, me dijen e Ibrahim Rugovës dhe sidomos aktiv ishte Fehmi Agani i cili mbante lidhje direkte me këto njësi guerile, por më vonë këto njësi u lan në harresë dhe pa mbështetje materiale nga qeveria e Bujar Bukoshit. Por, ndihma e ndërsjellë e këtyre luftërave vazhdoi edhe pa ndihmën e askujt duhet cekur se pos kryetrimit Adem Jasharit në këto grupe ishte shumë aktiv heronj Salih Çeku”, ka thënë Miftari.
Edhe sipas Miftarit, Zahir Pajaziti është tradhtuar. Ai potencon se edhe Zahir Pajaziti por edhe grupi i Nait Hasanit u tradhtuan nga i njëjti burim.
“Sipas njohurive tona lidhur me vrasjen e Zahir Pajazit del se Zahiri me shokë është tradhtuar. Dalin shumë teori ku disa raste akuzohet pa të drejt edhe Nait Hasani por faktikisht si grupi i Nait Hasanit si njësiti i Zahirit edhe disa njësi në Drenicë dhe dukagjin kanë rënë pre e së njëjtës tradhti dhe burimin e kanë në të njëjtin vend. Nëse Nait Hasani bie në burg dhe pas tri ditësh vritet Zahiri bëhet pyetja kush e tradhtoi grupin e Naitit? Sipas gjitha gjasash edhe të konfirmuar”, ka thënë Miftari.
Miftari ka theksuar se njerëz të etur për pushtet qëndrojnë prapa këtij konspiracionit dhe pyetja se kush i tradhtoi duhet ti bëhet byrosë politike të ”UÇK-së”.
”Njerëz të etur për pushtet qëndrojnë prapa këtij konspiracionit dhe këtë pyetje duhet ti bëhet byrosë politike të ”UÇK-së”, në krye me Hashim Thaçin i cili duhet të kishte shprehur interes si shih lider ”politik” edhe sa ishte kryeministër t`i zbardhte këtë rast e shumë raste tjerë p.sh, si u arrestuar Besim Rama bashkëpunëtori i Adem Jasharit mu në mes Drenicës u kap në pik të ditës në Galicë, pastaj gripi i Nait Hasanit si ra në burg, pastaj si tentuan UDB-ja ta arrestonin në prit edhe Syeljman Selimin (Sulltanin) në opracionin (Pejxher). Pastaj si u ”arrestua”, vëllai i Hashim Thaçit dhe u lirua pas disa javësh pa therë në këmbë dhe shumë raste tjera”, është shprehur ai.
Në këtë drejtim Miftari ka thënë se është me rëndësi të dihet si filluan këto arrestime kush u dobësua dhe kush doli i fort përfitoi nga këto ngjarje përpos Serbisë.
“Dhe nuk ka rëndësi aspak se çka kanë pranuar të burgosurit shqiptar në hetuesit serbe nga dhuna fizike ku shumë u masakruan për jetë mbeten invalid dhe disa edhe u vranë vdiqën nga turturat e UDB, e cila në atë kohë kishte sjellë dhunues torturues special nga Beogradi (Gorani, Gralle sidomos njeri i quajtur Buzpremi) të ndihmuar edhe nga shqiptarët e UDB-së Ajazi Peiqi. Në këto storie të dhimbshme të popullit tonë me rëndësi të veçantë është të dihet si filluan këto arrestime kush u dobësua dhe kush doli i fort përfitoi nga këto ngjarje pos Serbisë dhe sidomos ku dhe nga kush rrodhen informacionet pran UDB-së?”, ka pyetur Miftari.
Ndryshe, ish luftëtari Hasan Zeneli, ka thënë se do t`i sqaroj një nga një rrethanat e vrasjes së heroit Zahir Pajaziti gjatë ditëve në vazhdim.