Maqedonia gjendet në zonë e cila është shqetësuese për lartësinë e borxhit publik, ndërkaq Qeveria përballet me probleme financiare dhe nuk mundet të financohet pa kreditë, komentojnë ekspertët. Qeveria sot planifikon të merr borxh edhe 3.6 milionë euro nga tregu i brendshëm , ndërkaq në krahasim me detyrimet për larjen e borxheve nesër duhet të kthehet borxh me aq vlerë. Nga fillimi i vitit nga katër ankandet e kreditorëve të brendshme, Qeveria ka hyrë në borxh 78 milionë euro, njofton Radio Evropa e Lirw.
Ish-guvernatori i Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë, Petar Goshev, thotë se atë që e thotë Qeveria se borxhi është mbi 40% nga Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) dhe është ndër më të ulëtave në Evropë, ose është manipulim ose padituri, sepse niveli i borxhit nuk është njësoj i rrezikshëm për çdo shtet.Nga ana tjetër për analistin ekonomik, Zoran Vitanov, borxhet e këtilla të shtetit, e paraqesin politikën egocentrike. Ai komenton se për momentin Maqedonia hyn në borxh për çdo ditë nga dy milionë euro, dhe sipas tij, në vend se ato paratë të harxhohen për infrastrukturë dhe rrugë, paratë investohen në përmendore, transmeton Portalb.
Goshev shton se, papërgjegjshmëria e pushtetit e rrit rrezikun në shtet dhe pasi që të largohet nga pushteti t’i detyrojë qytetarët që patjetër të përballen me rritje të tatimeve për t’i paguar.
“Njëherë Maqedonia ishte në asi situata në vitet e 90-ta me shpërbërjen e Jugosllavisë, ndërkaq kjo garniturë punon me shpejtësi që vendin ta sjellë në një situatë të tillë”, shprehet Goshev.
Përndryshe, zëvendësministri plotësues i Financave, Kire Naumov, të hënën deklaroi se pa pëlqimin e tij, Ministria e Financave ka marrë vendim për ankand të ri në tregun vendor për letra me vlerë i cili duhet të mbahet sot (e martë).
“Edhe pas sjelljes së vendimit të Gjykatës Administrative të Republikës së Maqedonisë me të cilën e pranoi ankesën time dhe e cila de fakto u anulua vendimi i Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) ministri i Financave Zoran Stavreski shpalli ankand të ri në tregun vendor për letra me vlerë i cili duhet të mbahet nesër. Edhe ky vendim për shpalljen e ankandit në tregun vendor është marrë pa pajtimin e zëvendësministrit shtesë të Financave”, deklaroi Naumov.
Editimi i letrave shtetërore me vlerë, thekson Ministria e resorit, është proces i rregullt për financimin e buxhetit, i cili praktikohet në çdo vend dhe i cili është paraparë dhe miratuar me Buxhetin e Republikës së Maqedonisë. Deri më tani ankandet e realizuara janë në kuadër të së paraparës me Buxhetin për vitin 2016, qëndron në reagim.