PD në krizë ekonomike, Basha heq 10 vetë nga administrata

Demokratët po hasin kohët e fundit probleme ekonomike, gjë që ka detyruar kreun e PD-së, Lulzim Basha, të bëjë disa shkurtime në administratën e partisë.

Basha është munduar që përmes këtyre shkurtimeve të mos cenojë ecurinë e punës në administratën e PD-së, por duket se ai e ka pasur të pashmangshme largimin e disa prej tyre. Burime brenda PD-së konfirmojë për “Gazeta Shqiptare” se kryetari Basha para disa ditësh ka larguar nga puna 10 punonjës në nivele të ndryshme të administratës. Mësohet se shkurtimet kanë prekur disa departamente të partisë, të cilat kishin “fryrjen” më të madhe me punonjës.

Po ashtu, këto burime sqarojnë se administrata e partisë po vuan edhe vonesat e marrjes së rrogave, për shkak se arka e PD-së nuk është në ditët e saj më të mira. Siç duket, të qënit në opozitë për demokratët po bëhet edhe më e vështirë nga ana ekonomike, duke mos mundur të sigurojnë dot as marrjen në kohë të pagesave mujore. Në bazë të statusit të PD-së, konkretisht neni 49 i tij, që ka të bëjë me financat e partisë thuhet se: “1 – Burimet financiare të partisë përbëhen nga kuotizacionet e anëtarësisë, nga granti që jep buxheti i shtetit sipas ligjit, nga ndihma e dhurata publike që njeh ligji për partitë politike, si dhe nga çdo burim tjetër që autorizon ai. 2 – Masa e kuotës së anëtarësisë përcaktohet nga kryesia e partisë. Grumbullimi dhe administrimi i kuotave e kontributeve bëhet konform rregullores së brendshme. Po ashtu, PD po has në vështirësi edhe në mbledhjen e kuotizacioneve të anëtarësisë së PD-së, apo vështirësitë e tjera sa u përket donacioneve. Demokratët përgjatë vitit që lamë pas kanë harxhuar jo pak para, fillimisht gjatë qëndrimit 3-mujor në “çadrën e lirisë”, ndërkohë që më pas u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. 290 milionë lekë ishte fondi, që buxheti i shtetit vuri në dispozicion të partive politike për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.

Sipas ligjit, “Për partitë politike”, 70% e këtij fondi, e parashikuar si mbështetje financiare për partitë, u shpërnda sipas numrit të deputetëve të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare. Çdo parti parlamentare përfiton ndihmë financiare në përputhje me numrin e deputetëve që ka fituar. 20 % e fondit ndahet në mënyrë të barabartë ndërmjet partive parlamentare, ndërsa 10%, sipas përqindjes së fituar ndërmjet partive politike, që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe kanë fituar mbi 1% të votave në shkallë vendi. 61.75 milionë lekë ose 95% e fondit të vënë në dispozicion nga Buxheti i Shtetit shkuan për tetë parti të mëdha, ku shuma kryesore u nda mes dy partive kryesore, Partisë Socialiste 28,044,942 lekë dhe Partisë Demokratike 20,771,018 lekë. Por, KQZ vendosi sanksionin administrativ për subjektin zgjedhor Partia Demokratike në masën 12.000.000 lekë, për mospërmbushjen e detyrimit të parashikuar nga neni 67, pika 6 të Kodit Zgjedhor të ndryshuar, për 12 zonat zgjedhore. Partia Demokratike mori kohë më shumë se socialistët për të bërë listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 25 qershorit pas marrëveshjes së Lulzim Bashës dhe Edi Ramës në 18 maj. Pas humbjes së zgjedhjeve, Partia Demokratike, e cila mori 43 mandate, nga 46 që kishte në vitin 2013, iu desh t’i kthejë KQZ-së 17 milionë lekë të vjetër. Të gjitha këto rënduan buxhetin e partisë më të madhe të opozitës, përfshirë edhe shpenzimet për protestën e së hënës para parlamentit. Po ashtu, PD-së i duhen të tjera para për protestat e paralajmëruara në fillim të janarit kundër qeverisë “Rama”, të cilat nuk dihet se sa do të zgjasin, por që do të thotë të tjera shpenzime për PD-në.

Financat, çfarë parashikon statuti i Partisë Demokratike

Neni 26
Financimi i strukturave vendore të PD
1 – Financimi i strukturave vendore bëhet nga:
a) Shuma në formë granti që akordon kryesia qendrore.
b) Kuotizacioni i anëtarësisë së territorit përkatës, të cilat shpërndahen sipas niveleve të ndryshme të organizimeve territoriale sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren financiare.
c) Kontributi që derdhin të zgjedhurit vendorë e në qendër, shumë e cila përcaktohet nga kryesia e rrethit.
d) Burime të tjera financiare që autorizon ligji për partitë politike.
2 – Kryetari i bordit financiar (trezorierit) të degës emërohet nga kryesia, pasi ka marrë pëlqimin paraprak të trezorierit të PD në qendër. Ai është përgjegjës përpara kryesisë për fondet që ka në ngarkim.
3 – Bordi financiar i organeve vendore të partisë përbëhet nga një numër anëtarësh sipas vendimit të kryesisë përkatëse. Ai zbaton me rigorozitet në ushtrimin e detyrave të tij rregulloren e brendshme financiare të partisë.

Neni 50
Bordi financiar i partisë
1- Bordi financiar i partisë përbëhet nga shtatë anëtarë të zgjedhur nga kryesia e partisë.
2 – Kryetari i bordit (trezorieri i përgjithshëm), i zgjedhur sipas nenit 37 të statutit, është përgjegjës për administrimin e fondeve të partisë. Ai i kërkon kryesisë të shprehet për projektin e buxhetit dhe jep llogari para saj për zbatimin e këtij buxheti. Bordi financiar paraqet një opinion për projektin e buxhetit dhe rregulloren e përdorimit të fondeve të partisë.
3 – Bordi i administrimit financiar kontrollon përdorimin rigoroz të financave të partisë. Në këtë funksion, ai mblidhet për të dhënë mendim:
a) Para dorëzimit të bilancit të partisë në organet kompetente shtetërore dhe të partisë.
b) Para paraqitjes së buxhetit në kryesinë e partisë.
Ai mund të mblidhet edhe me kërkesën e mëse gjysmës së anëtarëve për të nxjerrë rekomandime për administrimin financiar të partisë. Këto rekomandime kanë fuqi zbatuese për kryesinë e partisë.

Kuotat, si mblidhen paratë në parti

Kohët e fundit demokratët po përballen me vështirësi ekonomike, ku një ndër arsyet është edhe mungesa e parave nga mbledhja e kuotizacioneve të anëtarësisë. Në bazë të statusit të PD-së, konkretisht neni 49 i tij, që ka të bëjë me financat e partisë thuhet se: 1 -Burimet financiare të partisë përbëhen nga kuotizacionet e anëtarësisë, nga granti që jep buxheti i shtetit sipas ligjit, nga ndihma e dhurata publike që njeh ligji për partitë politike, si dhe nga çdo burim tjetër që autorizon ai. 2 – Masa e kuotës së anëtarësisë përcaktohet nga kryesia e partisë. Grumbullimi dhe administrimi i kuotave e kontributeve bëhet konform rregullores së brendshme.

Leave a Reply