Trajneri i Barcelonës, Luis Enrique fajësoi mbrojtjen për gabimet e bëra, teksa pa ekipin e tij të sfumonte një avantazh me dy gola ndaj Sevillas, për të dalë në fund të 90 minutave nga transferta e vështirë vetëm me një barazim 2-2 pasditen e së shtunës.
Katalanasit dukeshin tepër të përgatitur për fitoren e 10 radhazi në të gjitha kompeticionet, falë golave të mrekullueshëm nga Lionel Messi dhe Neymar brenda 30 minutave të para. Por, një gabim i rrallë nga portieri kilian, Claudio Bravo, bëri që Sevilla të shkurtonte diferencën në fund të pjesës së parë.
Ndërkohë, fituesit në fuqi të Europa League, kompeticionit të dytë për nga rëndësia për klube në Europë, arriti të barazonte shifrat në pjesën e dytë, kur Gerard Pique i dha një dhuratë Jose Antonio Reyes, ndërsa ky i fundit dha një pasim të artë për Kevin Gameiro, i cili nuk gaboi përpara portës së “blaugranave”.
“Mendoj se në pjesën e parë ishim një ekip shumë herë më i mirë. Luajtëm një futboll të kënaqshëm, kontrolluam lojën dhe u shkaktuam shumë probleme kundërshtarëve”, tha trajneri i Barcelonës, Enrique. “Fatkeqësi që në vetëm pak minuta humbëm kontrollin dhe pësuam golin në pjesën e parë, që rihapi lojën. Pjesa e dytë ishte më shumë sesa e barabartë. Të dy ekipet kishin rastet për të shënuar, asnjëri nuk ishte superior ndaj tjetrit, por ne gabuam dhe paguam për këtë gabim”.
Barazimi bën që Barça të udhëheqë tashmë La Ligën me vetëm 2 pikë avantazh ndaj Realit të Madridit, kur kanë mbetur edhe 7 ndeshje nga fundi i kampionatit.