Presidenti amerikan Barack Obama u ka bërë thirrje vendeve të Gjirit që të përdorin influencën e tyre ndaj fraksioneve rebele të Libisë, për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës kaotike atje.
Duket se këto vende i kanë mirëpritur flakët e konfliktit luftarak në vendin afrikano-verior, ka deklaruar Obama.
Libia ndodhet prej vitesh në kaos, që nga rënia nga pushteti e liderit që sundoi për disa dekada, Muammar Gaddafi në vitin 2011.
Aktualisht vendi qeveriset nga dy qeveri rivale, ndërsa milici të shumta kontrollojnë zonat dërrmuese të territorit.
Ndërkohë, ndasi të thella janë verifikuar mes vendeve të Gjirit lidhur me Libinë, me Emiratet e Bashkuara Arabe që bombardojnë objektivat e rebelëve islamikë dhe Katari që shpreh rezervat e tij për këto operacione.
Por presidenti Obama tha se kriza në Libi, ku Shteti Islamik ka krijuar bastionet e tij, nuk mund të përfundojë me disa sulme me dronë apo disa aksione ushtarake.
“Duhet të inkurajojmë disa nga vendet brenda Gjirit që kanë influencë tek disa fraksione brenda Libisë për të qenë më bashkëpunuese me njëra-tjetrën”, tha Obama për gazetarët.
“Në disa raste i kemi parë këto vende më tepër duke mbështetur flakët e konfliktit ushtarak sesa duke u përpjekur që t’i shuajnë ato”, vijoi presidenti i Shteteve të Bashkuara.
Muajin e ardhshëm ai do të presë në Shtëpinë e Bardhë liderët e gjashtë vendeve të Këshillit Kooperacional të Gjirit, ku bëjnë pjesë Bahreini, Kuvaiti, Omani, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, njoftojnë ndërkohë mediat amerikane në edicionet online.