Protestues nga e gjithë Kosova janë mbledhur të shtunën në sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës, për të protestuar kundër situatës së rënduar social-ekonomike në të cilën ndodhet vendi.
Ata kanë nisur marshimin dhe kanë ndaluar fillimisht para selisë së Gjykatës Kushtetuese, pjesën ballore të të cilës e kanë lyer me bojë të zezë në shenjë proteste ndaj kapjes së saj nga politika, raportojnë mediat kosovare.
Ndalesa e dytë ka qenë selia e KEDS-it, ku qytetarët kanë protestuar kundër faturave të shtrenjta të energjisë. Radha vijon me atë të RTK-së, institucion që sipas opozitës është vënë në shërbim të partive në pushtet.
“Me hajdutë nuk ka shtet”, “Hajdutët në burg, jo në Qeveri”, “Asociacioni i Serbisë i barabartë me ndarjen e Kosovës”, janë disa nga mbishkrimet që mbajnë parullat e protestuesve.
Të pranishëm mes tyre, në vijën e parë, janë edhe krerët e partive të opozitës, si Fatmir Limaj i Nismës për Kosovën, Visar Ymeri i Vetëvendosjes, Ramush Haradinaj i AAK-së, etj.
Ndërkohë, agjentët e policisë kanë hequr nga rrugët objekte të forta që mund të përdoren nga manifestuesit, si dhe kanë rrethuar godinën e Gjykatës Kushtetuese për arsye sigurie.
Më herët policia shpërndau disa pamflete për protestuesit duke i paralajmeruar se, njeh të drejtën e tyre për të protestuar, por nuk do të tolerojë aktet e dhunës.