Shkëlzen Halimi /
Pse na mungon drama si gjini letrare? Është kjo një pyetje që vërtet duhet të shtrohet dhe të trajtohet seriozisht, sepse ka diçka që çalon në këtë drejtim. Që në fillim duhet thënë se është i domosdoshëm korrigjimi i qëndrimit që si kurth i rri kësaj gjinie letrare, e që thotë se synimi i çdo drame është të vihet në skenë, sepse nëse nuk vihet, kot shkruhet!
Atëherë na imponohet edhe një pyetje: a po i ikin krijuesit bashkëkohor lëvrimit të kësaj gjinie për shkak të lakmisë së regjisorëve shqiptarë që ia mësyjnë famës përmes përkushtimit ndaj veprave të dramaturgeve të huaj. Kjo praktikë duhet të ndërpritet një orë e më parë, sepse nuk kemi nevojë të bëhem “më katolik se papa”.
Nuk është e largët koha kur drama shqiptare shënonte suksese pikërisht për shkak se në të shumtën e rasteve përzgjidheshin autorët tanë, veprat e të cilëve shënuan suksese të shumta edhe në skenat evropiane dhe me gjerë. Kjo, mbase tregon se niveli i dramaturgëve “klasik” shqiptarë ishte i lartë, por edhe i regjisorëve të kohës, të cilët arritën që të përjetojnë madje edhe me qindra repriza te shfaqjeve të tyre.
Bota do të na njohë vetëm përmes artit tonë origjinal, përmes autorëve tanë dhe veprave të tyre dhe assesi përmes autorëve të huaj që, megjithatë, janë pjesë e kulturës se popujve që u takojnë. Natyrisht, problemi bëhet edhe më i thellë për shkak të mungesës së kritikës së mirëfilltë, e cila do të mund të bënte trysni mbi ata që merren edhe me planifikimin e programit vjetor për të bërë sado pak një ndryshim në qasjen e përzgjedhjeve të veprave, gjithnjë duke e vënë theksin te veprat origjinale.
Shoqëria shqiptare ka me mijëra tema të paprekura (shqiptare) për të dalë te teatri absurd, te realizmi magjik apo te teatri metaforik. Vetëm trajtimi i problemeve shqiptare mund t’i japë karakterin kombëtar kësaj gjinie dhe të arrije përmasat e botërores.
Kadare u bë me famë botërore vetëm për shkak të temave shqiptare. Sikur ai t’u qasej, bie fjala, temave të nën-qiellit italian, ai kurrë nuk do të arrinte aty ku gjendet tani, në majat më të larta të letërsisë botërore.
Përgjegjësit e kulturës kombëtare në Ministrinë tonë të Kulturës duhet ta stimulojnë kultivimin e kësaj gjinie letrare, jo vetëm financiarisht e me prioritet, por edhe duke i kaluar vetëm ato shfaqje teatrale që janë të autorëve shqiptarë të vendit dhe pastaj të tjerët. Gjithashtu, duhet të bëhet e qartë se me asgjë nuk dallojnë autorët shqiptarë që jetojnë e veprojnë në Maqedoninë e Veriut nga ata të Shqipërisë e Kosovës, sepse viteve të fundit sikur ka tendencë që të parët të trajtohen disi me përçmim.
Më në fund, dihet se Teatri Shqiptar i Shkupit është teatri absolutisht më i suksesshëm shqiptar i të gjitha kohëve. Në historinë e këtij teatri janë evidentuar shumë suksese ndërkombëtare, të cilat sot kujtohen me nostalgji dhe për të cilat, fatkeqësisht gjeneratat e reja, fare nuk dinë, pikërisht për shkak të mungesës së interesimit të vetë drejtuesve të atyre pak teatrove që i kemi.
Kthehemi sërish te pyetja e shtruar në fillim: pse na mungon drama si gjini letrare? Në fillim përgjigjen duhet kërkuar te teatrot tona, të cilat duhet të përgjigjen edhe në pyetjen: a duhet të shkruhet drama?