A KA SY OPOZITA SHQIPTARE

Opozita shqiptare-myslimane nëse nuk denjon që ta ketë në fokusin e vet edhe depolitizimin e BFI-së dhe shpëtimin e saj nga “demonët partiakë”, pastaj, pas zgjedhjeve, nuk do t’i ketë hije t’i akuzojë e t’i shajë hoxhallarrët se e ndihmuan akcilën parti për të fituar

Nga Eset Shaqiri

Këto ditë, u fol e u përfol gjithandej, në media e në oda, në xhami e nëpër çajtore, sjellja e Shaqir Fetait e cila, këtë farë “teologu” të diskutueshëm e ka shpërfytyruar në një kallëp të vasalit! Bëhet fjalë për vetëhedhjen e tij në aventurë partiake si dhe të pushtetit që t’i japë sa më shumë zor për ta paraqitur rastin e Spitalit Modular të Tetovës (që gëlltiti në flaka 14 persona që i kishin besuar spitalit për shërim nga Kovid 19), si ngjarje tragjike në të cilën “ka gisht” Zoti! Meqë “të Zotit jemi dhe tek Ai do të kthehemi”, Shaqir Fetai, përmes kësaj të Vërtete Absolute, përpiqej që ta ulë interesin si të familjarëve po ashtu edhe të institucioneve dhe hetuesisë për ta hetuar rastin dhe për të gjetur se mbi kë bie përgjegjësia për këtë tragjedi të rëndë.
Natyrisht që, në këtë rast, Shaqir Fetai u pëdor, (apo edhe u imponua të përdoret) vetëm si vegël e partive të cilët e ndihmuan në tradhëtinë dhe komplotin mbi BFI-në me qëllim të kapjes së këtij Institucioni fetar islam nga duart e politikës që më se tri dekada përpiqen ta uzurpojnë dhe politikisht të ndikojnë mbi këtë Institucion!
Pra, u fol e u përfol për “fenomenin Shaqir Fetai” edhe atëherë kur ky “teolog” i diskutueshëm pranoi që të shndërrohet në vegël publike të të interesuarve për ta dëmtuar deri në palcë trungun e unitetit si dhe integritetin e të vetmin Institucion fetar islam në vend!
Me të madhe po flitet, madje edhe nëpër xhami se, shumë imamëve u ofrohet “strategjia e Shaqir Fetait” për t’u kyçur në fushatë parazgjedhore si dhe për të bindur e siguruar sa më shumë xhemat që të votojnë parti të caktuara!
Askush nuk ka asgjë kundër bashkëpunimeve. Gjithësesi që edhe Bashkësia Fetare Islame duhet të zhvillojë bashkëpunim konstruktiv me të gjithë partitë politike që ia duan të mirën dhe që ia mbrojnë interesin këtij Institucioni. Por, Shaqir Fetai nuk është interes i BFI-së!
Bashkëpunimi i BFI-së me faktorë relevantë është etik për shoqërinë tonë, sepse ky Institucion ka punuar dhe gjithnjë ka shprehur interesim për një bashkëjetesë, për mirëqenie dhe për harmoni ndërfetare e ndërnacionale!
Në asnjë moment në historinë e BFI-së ky Institucion nuk na del të jetë nënshtruar, të ketë vepruar nën diktatet partiake apo ideologjike! Mjerisht, sot kemi një BFI që po degradohet nga Shaqir Fetai deri në një vegël vasale e kolaboracioniste!
Imamët janë nën trysni të hatashme, nga ata po kërkohet që, ose të agjitojnë për partitë në pushtet të cilët ngritën një “riaset” vasal, ose, në të kundërtën, do të rrënohet ky “riaset” dhe brenda do të futen “arushat” që do t’ju shqepin!
Me këto fakte, tërë blloku opozitar është i njohtuar, sidomos opozita shqiptare, e cila, deri më sot po heshtë para kësaj të vërtete duke demonstruar një dorëzim total para “uraganit” që do t’i sjellë fitore bindëse pushtetit aktual.
BFI-së nuk duhet t’i interesojë se kush do të fitojë! Le të fitojnë ata që e bindin elektroatin me program më të mirë për mbarë shoqërinë. Por ama, këtë fitore nuk duhet ta synojnë përmes Institucionit fetar, BFI-së, sepse, një ditë duhet të japë llogari gjithësecili që ka lejuar dhe ka punuar për politizimin kaq të madh të Bashkësisë Fetare Islame. Sot BFI-ja përceptohet si “filiale gjigante” e pushtetit!
Edhe heshtja e opozitës do të llogaritet si kontribuese në këtë politizim të skajshëm! Situata mund të dalë nga kontrolli dhe, për rrjedhojë, të kemi pasoja të parikuperueshmë për një kohë të gjatë. Nëse do të lejohet partizimi dhe politizimi i BFI-së, të kota do të jenë pastaj të gjitha përpjekjet për ruajtjen e trekonfesionalitetit, si vlerë e kësaj shoqërie, të kota do të jenë angazhimet e shoqërisë për ruajtjen e harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare.
Opozita shqiptare-myslimane nëse nuk denjon që ta ketë në fokusin e vet edhe depolitizimin e BFI-së dhe shpëtimin e saj nga “demonët partiakë”, pastaj, pas zgjedhjeve, nuk do t’i ketë hije t’i akuzojë e t’i shajë hoxhallarët se e ndihmuan akcilën parti për të fituar! Do të ishte një hipokrizi nga rdhët e opozitës nëse do të mallkonte e do të kritikonte hoxhallarrë, të cilët, paraprakish u lanë nën kthetra të politikës, të dekurajuar, të pambrojtur e të papërkrahur në misionin e tyre të vetëm – në zhvillimin e jetës fetare islame në vend!
Me gjasë, të gjithë, përveç opozitës shqiptare (nëse ekziston kjo opozitë!) e kanë më se të qartë se, Shaqir Fetai aktualisht është vetëm një “put” para të cilit përkulen administrata e tij komplotiste e ngarkuar me peshën e fajësisë dhe joshjeve partiake! Sot, po vegjetojnë disa “telogë” të trimëruar me bluza propagandistike të afishuara: më mirë me pushtetin dhe për pushtetin i cili, në çdo moment, mund të të bëjë “reis” si Shaqir Fetain!
Opozita shqiptare dhe, tërë ajo e bllokut mysliman, duhet të ndihmojë në çrrënjosjen e kësaj logjike të pistë! Opozita këtë angazhim duhet ta kuptojë si detyrë kombëtare dhe fetare!

Leave a Reply