A kemi analistë të kulturës?!

Midis nesh

Nëse sot, në çfarëdo dite, shfletojmë dhjetë portale dhe gazeta elektronike shqiptare, sakaq do të shohim se në rubrikën OP-ED (opinione dhe editoriale) janë të publikuara mesatarisht mbi 40 shkrime, që të gjitha politike! Natyrisht, nuk janë të gjitha të një autori, madje brenda javës defilojnë mbi 130 komentues, analistë, opinionistë, emra të njohur, të respektuar, emra të rinj, të vjetër! Emërues i përbashkët i të gjithë këtyre autorëve është përpjekja për të thënë diçka, për të “zbuluar” diçka, ndonjë “konspiracion”, ndonjë lojë politike, por ka edhe prej atyre që pretendojnë se fjala e tyre është si këshillë dashamirëse, apo si “fjalë e fundit” që ia ka qëlluar në politikë!
Albanikusi bashkëkohor na del të jetë politikani më i madh në Ballkan e më gjerë, na del të jetë “strategu” më i saktë, ndonëse strategjitë e tij politike, në kushte të navigimeve satelitore, nuk vlejnë as në oborrin e shtëpisë së tij. Shqiptari i sotshëm e di fare mirë se tezat e tij, këshillat apo strategjitë politike nuk vlejnë as pesë para, sepse janë do fuqi të tjera që bëjnë strategji e politikë edhe për shqiptarët dhe viset e tyre etnike! Puna del që angazhimi i tyre është tepër i kotë, jashtë problemeve të mirëfillta kombëtare dhe, angazhim tërësisht snobist i “mendimtarëve” me prirje arriviste! Madje, edhe baballarët e kombit, edhe mendjendriturit e kombit, që të gjithë nga sfera e kulturës, merren me politikë, duke ofruar zgjidhje në letër të problemeve, sepse tashmë është katërcipërisht e sigurt se për ne shqiptarët vendosin do qarqe të tjera, pa dyshim, miqësore, strategjive politike të të cilëve ne vetëm mund t’ua bëjmë “aminin”!
Çka do të ndodhte sikur të gjithë këta kolumnista, opinionista, analista e editorialista, të angazhoheshin në ndriçimin e problemeve kulturore që i kemi! Shoqëritë e civilizuar që përbëjnë realisht atë rrethin e fuqisë botërore, ndajnë buxhet astronomik për ushtri e për siguri, por ama nuk e lënë mangët edhe buxhetin për kulturë! Trashëgimia kulturore, inovacioni dhe kreativiteti janë angazhime që shprehin vulën e seriozitetit shtetëror, por edhe të identitetin kulturor të shoqërive përkatëse.
Trysnia e kulturologëve, “bombardimi” i pushteteve me analiza e opinione nga sfera e kulturës, do të kishte impakt shumë fish më tepër se sa që kanë shkrimet nga sfera politike! T’i rrish karshi pushtetit me opinione politike, veçsa ke hasmëruar veten me politikanë si dhe ke humbur kohë duke kërkuar gjethe vjeshte në fund të oqeanit! Kurse, t’i rrish karshi pushtetit me shkrime që prekin probleme nga sfera e kulturës, pa dyshim që do t’ia prishje rehatinë politike pushtetit, sepse pushteti nuk ka fare llogari që ta injorojë mendimin e intelektualëve, të shkrimtarëve, të kulturologëve të ndryshëm. Politika kombëtare nuk mund të zhvillohet mbi kurriz të politikave kulturore, pushteti pa identitet kulturor i ndërtuar me djersë e mund të njerëzve të kulturës, është baras me një grigjë dhensh që tingëllon ëmbël, por që, në fund të fundit, “kënga” e kësaj grigje ngelë blegërimë!
Le t’ua lëmë opinionet dhe analizat ekspertëve të padiskutueshëm dhe të regjur në politikë. Le të orientohemi kah problemet kulturore, të cilat po na e dërmojnë kurrizin e identitetit kulturor. Do të jemi më produktivë, do të jetë një punë mijëra herë më e efektshme se sa dënglat e kota që i shesim si “filozofi politike”! Intelektualët e kombit, akademikët, arkeologët, njohësit profesionistë të trashëgimive kulturore, etnologët, muzicientët, shkrimtarët, producentët, regjisorët etj. le të zgjohen dhe le të ndërgjegjësohen për problemet madhore që i kemi në sferën e kulturës kombëtare dhe le ta japin kontributin e tyre duke i ndenjur çekiç cilitdo pushtet që e vë në bixhoz identitetin kulturor për ta ruajtur kolltukun politik të pushteti. Patjetër që ky qëndrim intelektual dhe sjellje kulturore shumë më tepër do t’i bënte mirë dhe nder vetë subjektit politik që dëshiron të bëjë politikë. Boshti i fuqishëm i identitetit kulturor do t’i bëhet tra i gjerë për të kaluar pa problem mbi çdo përrua të rrëmbyeshëm politik! /HEJZA/

Leave a Reply