Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, shkarkimi i të cilit duhet të diskutohet sot nga deputetët, tha se nuk priste asgjë spektakolare nga seanca e sotme.
Sipas mediave në Mal të Zi, përcjell Telegrafi, ai ka thënë se qeveria aktuale e kryesuar nga kryeministri Zdravko Krivokapiq duhet të bjerë.
“Gjëja më e rëndësishme është që Mali i Zi të ketë një qeveri evropiane sa më shpejt të jetë e mundur. Të gjithë duhet të votojnë siç mendojnë se duhet, jam i qetë për këtë. Unë thjesht dua të vazhdoj përpara”, citohet të ketë thënë tutje ai.
Sipas tij, skenari ideal është që të ketë një qeveri me mbështetjen e të paktën 49 deputetëve, për një periudhë të kufizuar kohore dhe të organizohen zgjedhje të ndershme.
Ndryshe, Kuvendi i Malit të Zi sot do të vendosë për propozimin për shkarkimin e zëvendëskryeministrit dhe liderit të Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq.
Propozimin për shkarkimin e Dritan Abazoviqit e ka dorëzuar kryeministri Zdravko Krivokapiq.
Ai propozoi për pasardhës ministrin aktual të Financave dhe Mirëqenies Sociale, Milojko Spajiq.