Midis nesh
Sapo në HEJZA filloi një debat shumë konstruktiv mbi nevojën kombëtare për një bashkim shpirtëror-kulturor të shqiptarëve anekënd botës, në opinion doli një lajm lidhur me Abetaren shqiptare! Kryeministri i Shqipërisë tha se, tani, shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovës dhe diaspora jonë kanë një Abetare të përbashkët, “të unifikuar”! Kjo, përveçse arrogancë institucional nuk shpreh kurrfarë angazhimi kombëtar për shqiptarët!
Po si me aq lehtësi kryeministrat shqiptarë i përjashtojnë nga kjo Abetare edhe gati nja një milion shqiptarë që jetojnë në viset etnike (Maqedoni e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi)?! Apo, edhe kryeministrat tanë solidarizohen me politikat diskriminuese antishqiptare të këtyre shteteve ku jetojnë shqiptarët autoktonë!
Maunet me shalqi nga Shqipëria mund të futen pa problem në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi. Serbët e Serbisë i kanë shumë qejf kastravecat dhe patatet e Shqipërisë. Qarkullim i lirë i mallrave që mbushin stomakun! Madje, falë edhe projektit shqiptaro-serbo-maqedonas “Ballkani i Hapur”. Po libri shqiptar, a mund të qarkullojë lirshëm?! Pse kryeministrat shqiptarë, sidomos “bulduzeri i politikave rajonale”, Edi Rama, nuk ua bëri me dije kryeministrave të shteteve ku jetojnë edhe shqiptarët autoktonë se, tash e tutje, shqiptarët kudo në botë, kanë një Abetare të unifikuar, nga e cila duhet të mësojnë me patjetër! Kjo do të jetë një mënyrë kombëtare se si fëmijët shqiptar ta mësojnë “abc”-në e vet!
Pse për kastraveca, patate, molla e domate duhet të shtyhet ideja e “Ballkanit të Hapur”, kurse për librin shqip të përkrahet me fanatizëm “Ballkani hermetikisht i mbyllur”! Pse libri shqip edhe më tej nga këta shtete sllave të llogaritet si mall tregtie që duhet të doganohet, të konfiskohet, të kontrollohet apo edhe të hidhet nëpër kontejnerë të doganave!
Pa dyshim, “Abetarja e unifikuar” më tepër del të jetë një projekt kryekëput politik-partiak se sa projekt kombëtar! Nuk mundet të pretendohet me këmbëngulje se na qenka projekt kombëtar ndërsa nga e drejta e natyrshme që të mësojnë nga kjo Abetare të përjashtohen qindra mijëra nxënës shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, nga Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi!
Edhe diçka! Po pse nga ky projekt u përjashtuan intelektualë, pedagogë të shquar shqiptarë nga viset e veta etnike? A mund të jetë Abetare e unifikuar pa përfshirjen e ekspertëve nga të gjitha trojet shqiptare si dhe nga diaspora? Pa dyshim, unifikimin e Alfabetit si dhe të Gjuhës e inicoi politika e kohës, por atë e realizuan ekspertë shqiptarë nga të gjitha viset shqiptare dhe nga diaspora.
Një ditë, edhe sikur të pajtoheshin qeveritë e shteteve ku shtrihen viset etnike shqiptare që për shqiptarët të lejohej të mësonin nga kjo “Abetare e unifikuar”, prapë se prapë kjo nuk do të shprehte unifikimin kombëtar, sepse askush, as nuk i pyeti dhe as nuk i inkuadroi në projekt ekspertët e respektueshëm shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës. Fare në fund, pa kurrfarë dileme, ky “projekt unifikues” i nënçmon këta ekspertë, ndërsa i mohon të gjithë ata vogëlushë që shkollën do ta nisin të përjashtuar nga projekti që do të duhej të ishte gjithëkombëtar. /HEJZA/
Dhjetë mite mbi Izraelin
Titulli i Origjinalit: Ten Myths about Israel Nga: ILAN PAPPE Përktheu: Genc Mustafa Çurgu Botuar nga Verso, 2017 Hyrje Pjesa…