Në fokus
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, si popull, de fakto, shtet-formues, në sferën e kulturës, artit dhe shkencës, janë në një pozitë vërtet të jo të mirë, madje injorohen tërësisht nga “akademikët” dhe “kulturologët” maqedonas, të cilët me recidiva serbe e komuniste në mentalitet, edhe më tej ndajnë mendimin që shqiptarët duhet të jenë “shërbëtorë” e “druvarë” dhe assesi akademikë, “sepse, mund të na rrëshqasë shteti nga duart”!
Ky qëndrim injorues e mospërfillës vazhdimisht i ka irrituar këta shqiptarë dhe, gjithnjë kanë qenë në përpjekje për t’ia dhënë hakun vetes! Kështu kanë bërë edhe burrat e dheut përgjatë formimit të kombit shqiptar! Janë formuar shoqata të ndryshme kulturor, akademike, patriotike dhe ia kanë dalë! Kështu dëshmon historia! Po pra, dëshmohet për burra të dheut dhe jo për ata shqiptarë të mjerë që vazhdimisht kanë sabotuar në të mirë të skllavopronarëve të kohërave të ndryshme!
Kohëve të fundit, po dëgjohen zëra e po shprehen përpjekjet për një Akademi Shqiptare të Arteve dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut, meqë Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve absolutisht asgjë nuk ka bërë as për shqiptarët dhe as për “akademikët” shqiptarë që nuk pranohen në këtë institucion! Kjo iniciativë, pa dyshim që duhet përshëndetur, edhe atë me të vetmin qëllim: që të internacinalizohet sa më shumë nacionalizmi i verbuar që mbisundon në këtë institucion maqedonas e që shqiptarët i ka “halë në sy”! Megjithatë, ky diskriminim dhe ky qëndrim gati racist i AMSHA-së mund të lakuriqësohet edhe ndryshe, fare pa i dhënë zor që të themelohet një “Akademi Shqiptare”, por përmes ngritjes së zërit të intelektualëve, përmes reagimeve dhe, pse jo, edhe protestave! Pa këto veprime të ligjshme krijohet përshtypja se dikush po përpiqet për “zhvatje akademike”: ose na pranoni dhe na rehatoni në Akademinë maqedonase ose po themelojmë “Akademinë shqiptare”! Po cili “akademik” i ardhshëm shqiptar ka zhvilluar deri më sot ndonjë fushatë kundër Akademisë maqedonase e cila nuk i duron dot shqiptarët në këtë shtet e lëre më në Akademi!
Po kush janë këta “akademikë” që na paskan tituj, vepra dhe vlera të larta e të padiskutueshme që po e merituakan të quhen AKADEMIK! Disa “intelektualë” të pensionuar?! Madje, shqiptarët janë të prirë që “akademik” ta quajnë edhe studentin e diplomuar, edhe atë person që ka dije sipërfaqësore mbi probleme, edhe atë person që i ka shkruar (përmes kompilimeve e përkthimeve) dy-tri punime shkencore! Po pse këta “akademikë” shqiptarë lejojnë që të tërhiqen për hundë prej udbashëve që i kanë brenda e për veprimtarinë destruktive të të cilëve kanë njohuri të mjaftueshme. Tani “Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut” do ta bëjmë me udbashë! Apo edhe me “profesorë” të cilët nuk e shprehën as më të voglin shqetësim për ata 449 “akademikë” (vetëm prej një fakulteti!) të një universiteti prestigjioz që janë pajisur me diploma akoma pa i kryer studimet sipas Sistemit të Bolonjës! Ky fakt, thuhet nëpër media, se qenka pranuar publikisht nga Universiteti? Po sa raste të tilla skandaloze që janë fshehur? Tani, duhet llogaritur në këtë brumë që një ditë ta mbushim “Akademinë me akademikë”! Po sa diploma janë “dhuruar” për militantë e puthadorë?
Fare në fund, vërtet prej nga guximin këta “iniciatorë” që ta konsiderojnë veten “akademikë” dhe, meqë po refuzohen nga Akademia maqedonase, hajde o burra ta themelojmë “akademinë” tonë kombëtare! Kush vendosi, cili komision akademikësh të kombit, cilët institucione vendos që këta t’i veçojnë si “akademikë shqiptarë”, të cilët duhet ta themelojnë një ëndërr të kahershme të shqiptarëve të këtushëm! Në ujë nuk mund të bëhen petullat!
Të pasurit një zyre, një adresë, të regjistruarit legalisht, një akademi të shkencave dhe arteve, vetëvlerësimi “akademik” apo, të veçuarit prej “një subjekti” si “akademik” nuk të bën a k a d e m i k, por ky titull arrihet vetëm përmes veprave madhore që i hyjnë në punë kombit dhe shtetit, përmes veprave me të cilat mburret çdo shqiptar, pas së cilave vepra do të vraponin botues e institucione nacionale, e jo që botohen tinëzisht e me vetëfinancim. /HEJZA/