Prokuroria Speciale akuzon 6 persona për vrasjen e Ivanoviqit, në arrati i dyshuari kryesor Milan Radojçiq
Një grup i strukturuar kriminal është themeluar në Veri të Mitrovicës që nga viti 2011.
Ndërsa të gjithë anëtarët janë udhëhequr nga dy persona.
Bëhet fjalë për Zvonko Veselinoviqin e nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojciqin.
Madje Prokuroria Speciale ka prova se me urdhër të tyre prapa shpinës është ekzekutuar politikan serb Oliver Ivanociq.
Për këtë krim që ndodhi në janar të viti 2017 Prokuroria Speciale, këtë të hënë ka ngritur aktakuzë për 6 persona.
Tre nga ta ndodhen në paraburgim ndërsa në aktakuzë është përfshi edhe ish sekretaresha e Oliver Ivanoviqit Silvana Arsoviq.
Ajo akuzohet se ishte në dijeni se do të vritej Oliver Ivanoviq, dhe se qëllimisht kishte shkyçur kamerat e sigurisë.
Prokuroria Speciale e Kosovës;
Në kohën e aktit të kryerjes së vrasjes së të ndjerit Oliver Ivanoviq, e pandehura ka qenë në dijeni se kamerat e sigurisë në zyrat e “SDP”-së kanë qenë të ndalura në mënyrë të dhunshme, duke u ç’kyqur nga rryma, me ç’rast ju është mundësuar lehtësim të dyshuarve që të mos incizohen nga kamerat e sigurisë, kur të kryhet akti i vrasjes ndaj të ndjerit Oliver Ivanoviq. E njëjta më 16.01.2018, në ora 08:16 menjëherë pas vrasjes së Oliverit ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë “SDP”, e cila ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.
Të gjithë të përfshirit akuzohen se kanë marr pjesë në grup të strukturuar kriminal.
Ky grup sipas prokurorisë kanë kryer vrasje të rëndë e keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në këtë aktakuzë në mesin e më të përmendurve është serbi Nedeljko Spasojeviq.
Prokuroria Speciale e Kosovës;
I pandehuri N.S., ( Nedeljko Spasojeviq) ka bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e Oliver Ivanoviq, me ç’rast me dashje dhe dijeni i ka ndihmuar të dyshuarve të panjohur në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke krijuar kushtet dhe mënjanuar pengesat për kryerjen e veprës penale, ku i njëjti u ka lehtësuar të dyshuarve që të marrin veturën e markës Opell Astra, pa targa me dritare të errësuara, ta përcjellin të njëjtën veturë në drejtim të qytetit, nga e cila veturë është shtënë gjashtë herë në të ndjerin Oliver Ivanoviq.
Edhe policët e Kosovë nga komuniteti serb, kanë bashkëpunuar ngushtë me këtë grup kriminal, duke mos e siguruar vendin e ngjarjes e madje duke fshehur edhe provat nga skena e krimit.
Madje polici Marko Roshiq, kishte bashkëpunuar ngushtë me këtë grup edhe para kryerjes së kësaj vrasje.
Prokuroria Speciale e Kosovës;
I pandehuri M.R. (Marko Roshiq) ka bashkëpunuar ngushtë me të pandehurit N.S., R.B., M.R., Z.V. dhe Zh.B. me dashje dhe dijeni ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”, duke e përcjellë viktimën Oliver Ivanoviq, para vrasjes, ndërsa pas vrasjes së të ndjerit në xhepin e tij është gjetur një copë letër me targa të veturës KM-014-FZ i markës xhip Santa FE me ngjyre të zezë, e cila veturë e ka përcjellë pas vrasjes së viktimës edhe vëllain e viktimës M.I. Me këto veprime i pandehuri i lartcekur ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë” nga neni 179 të KPK-së lidhur me nenin 33 paragrafi 2 i KPRK-së.
Për këtë rast në arrati ndodhen Milan Radojciq e Zvonko Veselinoviq, ndaj të cilëve tani më është lëshuar letër rreshtim ndërkombëtar nga Kosova.