Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut ‘Amnesty International (AI), e ka publikuar raportin për Maqedoninë, ku konstaton se ka korrupsion në pushtet, njofton Telegrafi.
Raporti i AI-së fillon me krizën politike në vend dhe publikimin e inçizimeve audio ndërmjet ministrave, anëtarëve të partisë në pushtet VMRO-DPMNE dhe njerëz tjerë të jetës publike.
Sipas këtij raporit, këto inçizime kanë zbuluar korrupsionin në pushtet, keqpërdorim të funksioneve, mashtrime zgjedhore dhe respekt i vogël i të drejtave të njeriut dhe sundim i pakët i ligjit, përfshirë përzierje në pavarësinë e gjyqësorit.
AI ka përfshirë në raport edhe protestat antiqeveritare, dorëheqjet e njerëzve të garniturës qeveritare, Marrëveshjen e Përzhinos, kthimin e opozitës në kuvend, themelimin e Prokurorisë Speciale.
Sa i përket lirisë së fjalës, Ai raporton se mbi dy mijë gazetarë kanë qenë nën mbikëqyrje të pushtetit; janë sulmuar gazetarë, janë kërcënuar gazetarët Borjan Jovanovski, Sashe Ivanovski dhe është liruar Tomisllav Kezharovski.
Pjesë e raportit të AI-së është edhe grupi i Kumanovës, i arrestuar në vitin e kaluar në luftimet e Lagjes së Trimanve, ku përmendet keqtrajtimi i tyre në paraburgim dhe se MPB nuk ka pranuar hetim të pavarur për këto pohime.
Raporti ka përfshirë edhe krizën me refugjatët, azilkërkuesit e Maqedonisë në BE, si edhe lëvizjen për të drejtat e homoseksualëve – LGBT.