Arif Molliqi për frymëzimin, veprën në proces, lirinë…

VEPRA TË MËDHA JANË SHKRUAR EDHE NË MUNGESË LIRIE

(Enkas për HEJZA-n)

Frymëzimi është brenda krijuesit, por duhet të artikulohet përmes shpirtit deri të lexuesi. Ky është një hap deri të krijimi i një vepre. Hapi tjetër është kur keni momentin e mrekullueshëm të zgjidhni diçka nga ajo që keni kërkuar më parë. Unë moti kam kërkuar që ta kem një frymëzim për romanin tim i radhës, “Arkivi i letrave të djegura”, që së shpejti do ta botoi SHB Armagedoni, Prishtinë. (Botimin e përkrah: Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovë).
Që në fillim dua të them se narracioni i këtij romani, që në terminologjinë letrare njihet si fabul, është i ndërtuar mbi historinë e një piromani, i cili i shtyrë, ose i paguar nga një person misterioz, e djeg arkivin e qytezës, në mënyrë që të zhduk çdo gjurmë të ngjarjeve të errëta që kanë ndodhur para dhe gjatë luftës.
Se këndejmi, gjatë gjithë rrëfimit galeria e personazheve defilojnë në trajta të ndryshme, duke krijuar një mori karakteresh, të përshkruara me imtësi, që mendoj se do ta bëjë këtë prozë të këndshme dhe të dobishme për lexim. Rrëfimi dinamik dhe përshkrimet e karaktereve e mbajnë lexuesin peng deri në epilogun e romanit, derisa zbulohet enigma e djegies së një arkivi, që jo rastësisht, bashkë me të janë djegur edhe dosjet për njerëzit e këqij, janë djeg dokumente brenda të cilave ishte e shkruar gjenealogjia e njerëzve të qytezës. Sado që në kërkim të zjarrvënësit të arkivit ka shumë situata të veçanta (letrare), çka e përcjell rrëfimin me intriga, dashuri, urrejtje, paradokse, elemente groteske, aspekte këto të cilat i japin kësaj proze një status të pastër letrar.
Ndërkaq për ta shtresuar tematikën në hapësira dhe kohë të ndryshme, mekanizmat narrativë në roman lëvizin dhe zhvillohen nga disa pozicione letrare.
Është interesante lidhshmëria mes frymëzimit dhe lirisë. Ose: lirisë dhe frymëzimit?! Liria sjell shumë gjëra, por sipas mendimi tim nuk sjell frymëzim për të shkruar. Ketë po e them se shumë vepra të mëdha janë shkruar në mungesë lirie.
Për të filluar t’i përgjigjeni frymëzimit të thellë, duhet kuptuar diçka shumë më të fuqishme, më të vërtetë, por jo më kuptimplotë se liria. Prandaj, aktualisht frymëzimi im kërkon liri shpirtërore, tjerat janë periferike. Parimet krijuese tregohen shumë më të kufizuara nëse nuk e kuptojmë se cila është liria e frymëzimit. Unë e kam lirin e të jetuarit, por herë-herë, më mungon lira e frymëzimit që të shkruaj ashtu siç e shoh, siç e ndjej rrethin që më rrethon. Prandaj, liria e frymëzimit është shpesh abstrakte, e pakapshme dhe nuk përkufizohet më pak fjalë.

Leave a Reply