Policia e Kosovës sot rreth orës 05:00 të mëngjesit ka pranuar një informacion së në rrugën “Nato 99”, në Gjilan ka ndodhur një incident me të shtëna me armë zjarri dhe si pasojë e këtij incidenti një person ka vdekur.
Inspektoriati policor njofton se pasi që dyshimet ishin se në këtë incident i dyshuar ishte një pjesëtar i Policisë së Kosovës, menjëherë përmes “Linjës së kaltër” janë njoftuar hetuesit e IPK-së të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes.
“Bazuar në hetimet preliminare dyshohet se personi i dyshuar V. H. pjesëtar i Policisë së Kosovës, jashtë detyrës zyrtare, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës L.S . Hetuesit e IPK-së së bashku me njësitin e forenzikës dhe njësinë rajonale të hetimeve janë akoma duke bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes në vendin ku ka ndodhur incidenti në konsultim edhe me prokurorin kujdestar që është prezent aty”, thuhet në njoftim.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
“Personi i dyshuar në këtë rast – zyrtari policor, është arrestuar nga Inspektorati Policor kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe është suspenduar nga detyra.Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë incident do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, thuhet në njoftim./KosovaPress/