ARTUR SPANJOLLI, për frymëzimin, procesin krijues, kohën…

BING BANG-U BRENDA TRURIT TË SHKRIMTARIT

(Enkas për HEJZA-n)

Frymëzimi është baza e krijimtarisë. Ajo ka lidhje më tepër me poezinë se sa me prozën, por edhe në prozë mund të gjesh faqe plot patos dhe lirizëm, të cilat mund të konkurrojnë shumë mirë edhe me poezinë. Origjina, ose më mirë embrioni i parë i një vepre letrare nuk dihet kurrë me qartësi ku e ka zanafillën e vet. Ose ku e ka pasur frymëzimin e vet. Shumë herë shkrimtari duhet të lodhet, të sforcohet për të kuptuar, analizuar apo kujtuar në formë racionale, embrionin e parë të një vepre letrare. Shpesh ai vjen nga episodet e jetës së përditshme, nga reflektimet tona mbi fenomenin jetë, por ai mund të lindë gjithashtu edhe nga leximi i një kryevepre, mund të lindë nga vargjet e një poeti tjetër, thjeshtë nga një film i parë, por gjithashtu edhe nga aftësia që shkrimtari ka të hulumtojë fenomenet përreth jetës së tij. Frymëzimi, ose ideja e parë, zanafilla e një vepre letrare, duket absurde, por mund të marrë shkas edhe thjeshtë nga një ëndërr e parë diku, ose dikur. Momentet e krijimtarisë, bing bang-u që ndodh brenda trurit të shkrimtarit, siç e shpjegon edhe Kadare tek libri i tij “Ftesë në studio”, ka një jetë krejt tjetër nga procesi krijues i shkrimtarit, i cili për ta materializuar pastaj idenë, frymëzimin e tij, i duhet kohë, punë sistematike, mundim dhe lodhje. Koha e pjellave në kokë, e lindjeve të ideve për veprat e ardhshme, ose frymëzimi për to, është aq e shkurtër gjatë jetës së shkrimtarit, sa po t’i mbledhësh ato të tëra, ato nuk e mbushin as një orë tokësore. Ndërsa lodhja mendore, mundi për t’i dhënë formë idesë origjinale, ai e shoqëron shkrimtarin gjatë gjithë ekzistencës së tij. Procesi krijues i shkrimtarit nuk rresht kurrë. Edhe kur ai fle, makina e tij krijuese vazhdon të punojë dhe të gjejë variante të përafërta në botën orinike.
Personalisht, kur shkruaj më duket sikur bie në trans, ndjehem pak si medium-i, ku fluksi i ndërgjegjes time mrekullisht, në formë të mistershme, shndërrohet në fjalë të inspiruar, të cilat shndërrohen në letërsi. Pra, kur shkruaj, jam edhe nuk jam i ndërgjegjshëm me anën racionale të mendjes time mbi ç’po shkruaj dhe si po e shkruaj mendimin falë fjalëve. Figurat letrare, pra, vijnë nga zonat e trurit, të cilat janë të lidhura me fantazinë. Me aftësinë krijuese pra, dhe ato nuk kanë lidhje fare me anën racionale të ndërgjegjes. Por, ato organizohen falë logjikës krijuese. I nënshtrohen pra rregullit të logjikës letrare.
Puna krijuese, është edhe akti më i lartë i një shkrimtari. Në piramidën e vlerave letrare si i shoh unë, në majë të saj qëndron shkrimtari, i cili mund ta bëjë si kritikun, si studiuesin letrar, si lexuesin me nivel. Pra, ai i zotëron të gjithë talentet letrare. Pak më poshtë hierarkisë qëndron kritiku. Akoma edhe më poshtë studiuesit e saj. Pastaj vjen lexuesi i kujdesshëm, dhe akoma pak më poshtë rrinë masa e lexuesve të cilët konsumojnë çdo lloj letërsie, dhe jo veç atë cilësoren.
Përsa i përket veprës që kam në duar, për të mos dalë nga filli i pyetjes suaj. Për momentin po merrem me pikturë, aktiviteti im i dytë. Por, kam aq shumë libra të pabotuar, si shqip ashtu edhe italisht sa edhe po të mos shkruaja asnjë rresht, do të me duheshin të paktën nja 10 vjet që të merresha me ç’kam hedhur nëpër faqe, duke e limuar dhe perfeksionuar, për ta përgatitur për botim. Gjithmonë e kam vuajtur shumë, këtë mospërputhje mes venës krijuese aq të shpejtë dhe pjellore dhe aparatit botues, të ngadaltë dhe të vështirë. Vetëm gjatë dimrit që kaloi kam shkruar tre romane shqip dhe një italisht. “Gjelat këndonin ndryshe”, “Enxhi”, “Mjegullat e kohës” dhe “Figli del paradiso”, të mos flas pastaj për romanin koral historik “Il vangelo di Pompei”, për të cilin kam punuar plot dy vjet dhe i cili akoma nuk e ka parë dritën e botimit në Itali.

Leave a Reply