Askujt nuk i hyn në punë një BFI, pa identitet e me integritet të parcializuar

Ekskluzive për Jetapress

H. Afrim ef. Tahirin, ish-sekretar gjeneral i BFI në RMV

H. Afrim ef. Tahiri, ish-sekretar gjeneral i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, aktualisht drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI, është mbase i vetmi faktor në Ballkan e më gjërë që ushtron opozitarizëm karshi një bashkësie fetare. Siç nënvizon efendi Tahiri në këtë intervistë për JetaPress.com, opozitarizmi i tij konsiston në kthimin e BFI-së në kushtetushmëri, në stopim të angazhimeve të “strukturave” të diskutueshme që janë përgjegjës për rrënim të BFI-së, për rrënim të vlerave islame, për dezorganizim të xhematit dhe për frakcionim të myslimanëve të vendit. E gjithë kjo gamë e dukurive antislame brenda dhe rreth BFI-së bëhet, siç thotë H. Afrim ef. Tahiri, vetëm e vetëm që të defokusohet vëmendja nga vjedhja e madhe që bëhet në buxhetin si dhe në vakëfin e BFI-së si dhe nga misioni për defaktorizim të Institucionit fetar islam në RMV

Nga Rejhane Rexhepi

Efendi Tahiri, nga viti 2006 e deri më vitin 2015 ju keni qenë sekretar gjeneral i Bashkësisë Fetare Islame në RMV! Pastaj u larguat dhe tashmë drejtoni një Lëvizje Myslimanëve për Reforma në këtë Institucion! Pse u larguat?

Ndërkëmbëzat që i vinin këtij Institucioni nga qarqe të caktuara të pushteteve politike, përpjekjet për ta partizuar si dhe për ta kriminalizuar BFI-në, më vitin 2006 e kishin sjellë Institucionin në fjalë buzë falimentimit dhe mbylljes. U desht një luftë e pakrompomis për t’i refuzuar të gjitha përpjekjet dhe ofertat jo të sinqerta si dhe punë me myslimanët e vendit për ta rikthyer besimin tek Institucioni i BFI-së! Sërish ia kthyem atë forcë e fuqi që e kishte BFI-ja viteve pas pavarësisë së Maqedonisë së Veriut. Në emër të myslimanëve, në emër të islamit, në emër të bashkëjetesës fetare nuk mund të vendoste shteti, madje as për paqe e kohezion, pa u pyetur dhe pa marrur miratimin e BFI-së! Ky Institucion e kishte bërë të qartë faktin se shteti nuk e gëzon besimin e BFI-së, pasi që shteti, nuk kishte përmbushur asnjë kërkesë racionale të BFI-së!

Në Konferencën ndërkombëtare kushtuar bashkëjetesës fetare, e cila organizohej nga ministria për kulturë e nën patronatin e kryeministrit, përfshirjen e BFI-së e kushtëzuam me ndërtimin e Xhamisë së djegur në Prilep gjatë konfliktit të 2001-shit, kërkuam që ne të jemi ftues të personaliteteve nga bota islame dhe, gjuha shqipe të ishte zyrtare në këtë Konferencë! Këto kërkesa nuk plotësoheshin ndërsa pa pjesëmarrjen e BFI-së nuk kishte kuptim mbajtja e Konferencës ndërkombëtare, kështu që, fuqia e shtetit nuk po ia dilte ta “lakojë” BFI-në, ndaj dhe kjo konferencë më 2013 dështoi! Natyrisht, shteti nuk do të rrinte duarkryq, nisi t’i përpunojë disa individë nëpunës të BFI-së. Unë me kohë i kisha dedektuar si hajna, si të dyshimtë, si bashkëpunëtorë të shërbimeve të dyshimta (madje edhe policore!) ndaj dhe, para ish-reisul ulemasë kisha vetëm një kërkesë: ta pastrojë BFI-në nga individë që po bëheshin gjithnjë e më të rrezikshëm, që nuk po i shërbenin islamit dhe as popullatës myslimane por, djallit! Qëndrimi im në BFI u kushtëzua me largimin e elementit të dyshimtë, për të cilin dyshime të bazuara kishte edhe vetë ish-reisi. Me gjasë, të korruptuarit, hajnat e spiunët patën ndikimin më të madh dhe, më 2014 u dorëhoqa. Pas premtimeve se punët do të fillojnë të përmirësohen, u riktheva deri në largimin tim më 2015. Jasht tashmë dal nga dal, po formohej një Lëvizje që kërkonte me ngulm reforma në këtë Institucion. Kërkesë e kësaj Lëvizje ishte që t’i prij deri në realizimin e asaj reforme për ç’gjë hartuam Platformë dhe program veprimi!

Kur e kishit më të lehtë të drejtonit: si sekretar gjeneral i BFI-së apo si kryetar i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI?

Si sekretar i pëgjithshëm kisha detyrë dhe obligim për ta institucionalizuar jetën fetare islame si dhe për ta bindur opinionin e gjërë mysliman se Institucioni është i tyre, se bashkëpjesëmarrës në ngritjen dhe në rimëkëmbjen e Institucionit do të jenë vetë ata dhe, për çdo gjë, fjala vendimtare do të jetë e vetë atyre, si kontribues absolut në buxhetin e BFI-së! Këtij qëllimi mund t’ia arrijnë fare lehtë vetëm njerëzit e pastër, të sinqertë dhe pa kurrfarë hipoteke! Elhamdulilah, ia dolëm me sukses!

Sot, drejtoj një Lëvizje Myslimane për Reforma në BFI, pra, nuk jam kryetar, por, me insistim të miqve dhe dashamirëve të BFI-së, drejtoj një Lëvizje. Nuk jam kryetar sepse nuk jemi të regjistruar si organizatë, nuk kemi bord, nuk kemi status, nuk kemi dashur të jemi “organizatë” që do ta konkurrojmë BFI-në! Thjesht, përfaqësojmë dëshirën e zjarrtë të shumicës myslimane për mbarësi në BFI; jemi opinion që artikulon të gjitha shkeljet kushtetutare që bëhen në BFI, që shpalos të gjitha dukuritë imorale që ndodhin aty, që insiston në departizimin dhe depolitizimin e BFI-së, që këmbëngul në kthim në identitetin e vet, në personalitetin e vet me plotë integritet! Kërkojmë debat publik, t’i ballafaqohjmë faktet dhe, të binden të gjithë ata që sot janë instaluar në krye të BFI-së nga qarqet e dyshimta antislame e antishqiptare se, pa reforma të thella dhe të përgjithshme në BFI, ky institucion vetëmsa po shndërrohet në filiale të qarqeve të caktuara politiko-qeveritare.

Jeni mbase e vetmja “strukturë” në Ballkan dhe më gjërë që e bëni opozitarizmin faqe institucioni fetar!

Në Shqipëri dhe Kosovë pushtetet nuk insistojnë të fusin duart në institucionet fetare, të cilat gëzojnë liri të plotë organizimi dhe veprimi. Këtyre pushteteve nuk u duhen bashkësi fetare në cilësi të filialeve, me peshë e rol të kontrolluar! Këtyre institucioneve u kërkohet funksionim normal dhe përgjegjësi për zhvillim të çdo dukurie që do ta cënonte rendin kushtetues dhe që do ta njolloste interesin kombëtar të shqiptarëve!

Maqedonisë së Veriut nuk i intereson një Bashkësi Fetare Islame që për anëtarësi do të kishte gati gjysmën e popullatës! Asnjë organizatë politike, fetare, kulturore etj. nuk është më e madhe se BFI-ja në shtetin e Maqedonisë së Veriut. Ndaj dhe, pushteti aktual ka futur thellë duart në këtë Institucion, ka isntaluar njerëzit e vet, në krye kanë vënë një marionetë, e cila do të pajtohet në heshtje me angazhimin e strukturave të caktuara antislame për ta rrënuar BFI-në, për ta dezorganizuar popullatën myslimane si dhe për ta përçarë përmes regjistrimit dhe legalizimit të “bashkësive islame” të dyshimta që mëtojnë sektarizimin e shoqërisë sonë. Kjo është ajo politikë të cilës po ia bëjnë “hyzmetin” strukturat aktuale të BFI-së e cila, jo se duhet të stopohet për shkak të paaftësive apo dyshimeve në përgatitjet e tyre profesionale, por, mbi të gjitha, duhet të stopohet dhe të goditet duke e detyruar pushtetin që t’i tkurrë duart dhe t’i nxjerrë fare nga BFI-ja!

Janë paksa akuza të rënda! Me çka do ta argumentonit këtë që e thoni mbi pushtetin maqedonas me duar të shtrira në BFI?

Mënyra si u zhvillua komploti, mënyra si u shkarkua ish-reisul ulema, Sulejman ef.Rexhepi, mënyra si u zhvilluan ngjarjet e mëtejme, stopimi i proceseve gjyqësore kundër aktorëve të të njëjtës lojë që e zhvilluan me plotë fallcifikime ndërsa i njëjti fallcifikim të regjistrohet si legal nëpër organet e gjyqësorit! Më e rënda ishte shkelja kushtetutare! Mohimi i Kushtetutës së BFI-së ishte “e vetmja trampolinë” prej nga i ashtuquajturi “reisi” aktual do t’ia dilte të hidhet në prehërin e pushtetit i cili do ta përkundte në djepin që ia ka instaluar në zyre dhe ku ia ka caktuar detyrën e madhe: vetëm gjumë!

“Reisi” aktual përcillet dhe, “vëllai i madh” e di fare mirë se cilat janë shkeljet kushtetutare që i bën ai, e di fare mirë se çfarë po ndodhë me vakëfin, e di fare mirë se kush në BFI ka përvetësuar vakëf, kush po i keqpërdor bonot me vlerë që i janë dhënë BFI-së gjatë procesit të denacionalizimit; “vëllai i madh” e di fare mirë se si ato bona në vlerë merren pa mbajtur llogari në devalvimin e vlerës së mirëfilltë të vakëfit. “Vëllai i madh” e di fare mirë se cila është përbërja e kësaj strukture që u prinë “reisi”, sa prej tyre kanë “kryer” fakultete e janë pajisur me diploma fallco, sa prej tyre kanë blerë provime, kanë blerë tema magjistrature e doktorature, sa prej tyre brenda natës janë bërë magjistra, sa prej tyre kanë kryer nëpër “institucione arsimore” të dyshimta; “vëllai i madh” e di fare mirë se si dhe kush e vjedh haxhin, kush i vjedh kurbanët, (sidomos kurbanët që paguhen nga diaspora), e di fare mirë se si bëhen kontratat gjatë kryerjes së haxhit, sa vidhen haxhilerët, sa pasurohen individ të caktuar! “Vëllai i madh” i vështron të gjithë ata teologë dhe administratorë të BFI-së të cilët i shfrytëzojnë zyret dhe xhamitë për të zhvilluar aktivitete të tyre “joqeveritare”, përfituese dhe të dyshimta! I di edhe “reisi” aktual por, nuk bëzanë dhe e pret momentin për t’i shantazhuar! “Vëllai i madh” e di fare mirë se si “reisi” aktual e blenë rehatinë e vet, qëndrimin në krye ku është instaluar, duke u dhënë nga 30-40 mij euro ”organeve të rrebeluar përkohësisht”, duke i qerasur me ndonjë shëtitje nëpër botë, duke i mbyllur sytë para “organeve” që marrin nga disa rroga përveç rrogës së BFI-së, duke u paraqitur si hut karshi vjedhjeve të mëdha, duke e njollosur postin “myfti” me turlifarë bilmezi që do t’i duhen eventualisht si “votë”! “Vëllai i madh” e di fort mirë se si vidhet duke blerë makina te reja, si bëhen pazaret me pronat e BFI-së, e di fare mirë se kush përvetëson banesa nëpër objekte të ngritur në truall të vakëfit të BFI-së etj. “Vëllai i madh” ndjehet i fyer prej “reisit” aktual, i cili, prezencën e BFI-së nëpër evente të ndryshme ndërkombëtare e bën përmes hajnave, kriminelëve, përmes njerëzve amoralë e të dëmshëm për shoqërinë e përgjithshme të vendit! Me këtë dukuri të shëmtuar janë të njohtuar edhe institucionet relevante të vendit, por, e teleisin këtë dukuri duke e paraqitur si më të mirën e mundshme të BFI-së! Sepse, një ditë, shteti duhet ta justifikojë arsyen e futjes së duarve deri në bërryla në Institucionin e BFI-së! Duke e luftuar krimin brenda BFI-së do të tregohet se sa e kujdesshme që është! Kurse, absolutisht, shtetit nuk i duhet ky “lluks”, BFI-së nuk i duhen brenda vete elementët e pistë të shtetit, shteti nuk ka nevojë të ngrisë “strategji” për ta pastruar BFI-në nga elementet paçavurë! BFI-së urgjentisht i duhet një pastrim nga kryet, sepse, “peshku kalbet nga koka”!

Pavarësisht kësaj që thoni ju, shikuar nga një kënd objektiv, cilat veprime mund të konsiderohen institucionale, kushtetuese, të mira e të dobishme?

A mund të jetë subjektive kritika që thotë se zyrja e reisit është shndërruar në “çajtore” ku ftohen lloj-lloj personash me qëllim që të bëhet ndonjë fotografi private dhe ky “aktivitet” të publikohet si përkrahje publike që i bëhet “instalacionit” të pushtetit maqedonas në krye të BFI-së! A mund të jetë subjektive kritika që “reisi” u shkon në raport organeve të BFI-së tek të cilët ka dyshim se mund ta “tradhëtojnë”, ndërsa organeve me të cilët është tallur duke “emëruar” myftinj persona pa kurrfarë bagazhi teologjik e intelektual, nuk u shkon fare! Lëvizja këtë dukuri e ka kritikuar vazhdimisht dhe, kur “reisi” mbështetet për muri, atëherë nis të “zbatojë” Kushtetutën e BFI-së – thërret mbledhjen e “Rijasetit” të vet në të cilën mbledhje do të duhej të raportonte gjithësecili! Por, vetëm pasi t’i “vizitojë” dhe t’ua masë pulsin myftinjëve të cilët ai i llogaritë si “bashkëpunëtorë të ish-reisit”, tek atëherë thërret mbledhjen e organit kolektiv, i cili, me Kushtetutë duhet të mblidhet të paktën një herë në muaj dhe jo në 7-8 muaj një herë! A mund të jetë kritikë subjektive fakti që “reisi” aktual nuk e di se kush janë anëtarët e Kuvendit të BFI-së, a mos u ka kaluar mandati apo, kur duhet të thirret mbledhja e këtij Organi! Thënë shkurt, “reisit” i mjafton përkrahja dhe “këshillat” e shërbimeve të caktuara shtetërore! A është “kritikë subjektive” fakti që vetëm një “reis” i kapur nga korrupsioni, nga hajnia, nga imoraliteti, mund ta gëlltisë kritikën objektive dhe mos të reflektojë mbi faktin e pamohueshëm se është bërë kancer i Institucionit!

Reisi, Rijaseti, Kuvendi, Myftinitë! Organet kryesore që nuk i mungojnë BFI-së!

Ju lutem! Për çfarë organesh e keni fjalën! Për celula të marionetave? “Reisi” aktual është “instalacion politik” dhe këtë fakt e dinë që të gjithë, madje e di edhe vetë i instaluari! Ç’bëri pasi u instalua nga qarqe të ndryshme politike? Gjënë e parë që e bëri e kontrabandoi titullin “MYFTI”! Kordinatorët e myftinive i bëri ”myftinj” krye më vete, sepse, ata nuk kishin të drejtë vote, dërsa këtij i duhej përkrahja dhe përmes tyre, sigurimi i pozicionit të vet të cilin e uzurpoi pa më të voglën meritë, pas një tradhëtie dhe komploti që e stigmatizoi përjetë BFI-në si “poligon” të shërbimeve sekrete! Rijasetin por dhe Kuvendin i degradoi, i degjneroi deri në “organe” të papërfillshme dhe që gjithmonë do të jenë të gatshme të jenë në shërbim të “emëruesit dorëshlirë”! Korrupsion ky i llojit të vet! Imagjinoni, “reisi” që thotë se u konstituua Kuvendi i BFI-së, ndërsa shkelë të gjithë rregulloret dhe tërë Kushtetutën që parasheh shumë qartë se si zgjidhet ky organ! Neni 45 i Kushtetutës së BFI-së thotë: “Kuvendi i Bashkësisë Fetare Islame është organ më i lartë juridiko-finansiar”, dhe, pikërisht për këtë rol profesional, Neni 48 precizon: “Anëtarët e Kuvendit të BFI-së me 2/3 duhet të jen me arsimim sipëror nga profilet juridiko-administrativo-ekonomik.”!

Që kur u realizua puçi klasik përmes përkrahjes së shërbimeve të dyshimta e deri më sot, Kuvendin e kanë udhëhequr injorantë, njerëz me diploma të falsifikuara, jokompetentë, njerëz që nuk dinë ta definojnë noconin “nen” e jo të punojnë sipas neneve të Kushtetutës së BFI-së! Së fundmi, na qenka zgjedhur edhe kryesia e re e Kuvendit! Në kryesinë e parë të këtij Kuvendi kemi pasur profesionistë të shkëlqyeshëm, si nga rrafshi juridik ashtu edhe nga ai ekonomiko-financiar! Struktura përbërëse është ngritur mbi profesonistë nga lëmenjtë e paraparë me Kushtetutë. Sot Kuvendit i prijnë imamë xhamishë, i prijnë njerëz që kurrë në jetë nuk e kanë lexuar Kushtetutën dhe as që i dinë kompetencat, detyrat dhe obligimet e tyre kushtetuese. Njerëz pa personalitet, pa respekt për veten e vet, ndryshe, nuk do të pranonin kurrë që të shpërfaqeshin kaq hapur si karrieristë që janë në gjendje të shërbejnë qorrazi! Pse? Sepse kështu do “reisi” i tyre, marioneta prej pondlash që nuk dinë as çka është llogaria përfundimtare, as buxheti, as të hyrat, as shpenzimet, që nuk dinë jo të kërkojnë raport financiar, por as ta lexojnë një raport të tillë. I duhet strukturë e tillë që nuk kanë njohuri mbi vakëfin, që nuk dinë se çka është bërë me vakëfin e BFI-së, që nuk dinë të kërkojnë as llogari dhe as përgjegjësi! Me Rijasetin aktual, “reisi” i instaluar politiko-partiakisht “e siguron” rehatinë dhe gojën plotë me të vetmën lutje: “zgjate Zot”! Kurse me Kuvendin aktual e siguron një “sallamadi” dhe një veprim i cili do të ndikojë në degradim total të jetës fetare islame në vendin tonë! Tërë ky veprim amator, dezorganizues, devalvues është me qëllim që të realizohet sa më mirë misioni i “reisit” të instaluar: degradimi deri në mospërfillje i Institucionit të BFI-së në këmbim të “vetëqeverisjes komuniste” që nuk i sguron më shumë se një grusht interesash meskine!

Çka do të ndryshonit nëse një ditë do të drejtoni Institucionin e BFI-së?

Nuk është synim i imi drejtimi i BFI-së! Unë e kam thënë edhe më herët, madje shumë herë e kam përsëritur: mua më intereson vetëm kthimi në identitet, drejtimi sipas Kushtetutës dhe dispozitave pozitive të BFI-së si dhe të kryhen reforma esenciale dhe të thella në këtë Institucion! Të ulemi, të bëjmë një strategji, t’i futemi reformave dhe, për mua, fare nuk është e rëndësishme se kush do ta drejtojë Institucionin, le të jetë ky edhe ndonjë udbash nëse kjo nuk do t’i nënçmonte myslimanët e vendit! Për reforma në BFI jam i gatshëm që publikisht të prononcohem se kurrë nuk do të futem, në asnjë organ të BFI-së! Por, ja që ka brenda individë të dobët, të dyshimtë, të pistë që thonë “nëse nuk jeni me mua, do ju vie Afrim Tahiri dhe do t’ju largojë të gjithëve nga puna”! Pse t’i largojë? Çka kanë bërë ata që duhet të largohen, nëse janë me faj, pse nuk i largon “reisi”, pse i mban, apo i duhen për shantazhim në ditën kur do t’i duhet “reisit”! Afrim Tahiri kurrë nuk ka thënë se dua të bëhem reis, as sekretar dhe as të drejtoj çfarëdo organi në BFI! Unë, si teolog, dua të kem një Institucion i cili denjësisht do t’i prezantojë myslimanët e vendit, një Institucion pa ata individë që e çojnë në haram fitrin, zeqatin, të hyrat nga kurbanët, nga haxhi! Një institucion me peshë dhe rol të padiskutueshëm nga asnjë në shtetin tim! Struktura aktuale e BFI-së nuk është e interesuar për reforma, madje as që i kupton nevojat e domosdoshme që i ka Institucioni, madje as që di t’u qaset këtyre reformave. Nuk i do reformat, sepse, me reforma të sinqerta mbyllen të gjitha portat gjigante për hajni, për korrupsion, për shkatërrim të vakëfit, për politika të gabuara kadrovike, për sendërtime të interesave meskine!

Si të arrihen këta reforma?

Së pari duhet të pajtohemi që të gjithë se reformat në BFI janë jetike dhe në të mirë ekskluzivisht të myslimanëve të vendit! Tevona, do t’i ballafaqojmë platformat dhe programet, të BFI-së dhe të Lëvizjes, natyrisht, nëse i kanë! Këtu nuk merr fund puna: platformat dhe programet do t’i nxjerrim në diskutim publik, do të shkojmë xhami më xhami, organ më organ, që të merret mendimi dhe pëlqimi i çdo myslimani në xhemat. Vendimet duhet të merren nga poshtë lartë, iku më ajo kohë kur “i pari” u imponon vendime e qëndrime bazës! Dikush mund të mendojë se me këtë pajtesë do ta “faktorizonte” Lëvizjen! Përgjigja është shumë e thjeshtë: pas një dakordësie për reforma gjithëpërfshirëse, pas një programi të përbashkët, pas hartimit të një strategjie afatgjate të BFI-së, pas kryerjes së procesit të reformave, në atë sekond do të shuhet Lëvizja dhe më kurrë nuk do t’i përmendet emri! Po nëse dikush mendon se kjo do të ishte “një derë” prej nga unë dua të futem në BFI, ja ku po e përsëris: paraprakisht do të nënshkruaj deklaratë se Afrim Tahiri nuk do të jetë në asnjë organ të BFI-së, thjesht, do të ngeli një anëtarë besnik i BFI-së!

Cila është pozita ndërkombëtare e BFI-së, meqë në të kaluarën ka qenë zë i fuqishëm i myslimanëve, i institucioneve fetare islame të Ballkanit?

Ka rënë përdhe! Ne vazhdimisht kontaktohemi prej organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare të botës islame, por edhe perëndimore, për rrjedhat dhe kahet e përditshme të BFI-së! Të gjithë janë të informuar se kush është “reisi”, si erdhi “reisi”, kush e solli “reisin”, cili është misioni i tij etj. Natyrisht, pavarësisht se kush e drejton, insistimi i Lëvizjes është që BFI-ja të mos mungojë në asnjë proces, në asnjë konferencë, në asnjë takim nëpër qendra të ndryshme islame. BFI-ja duhet të jetë prezent qoftë edhe duke u përfaqësuar nga “reisi” aktual i cili jo që nuk e njeh gjuhën arabe por nuk ka informacione për rrjedhat e përgjithshme bashkëkohore në botën islame! Është shumë i hendikepuar me mosnjohjen e as të gjuhës arabe dhe as të anglishtes, apo frengjishtes dhe as të turqishtes! Pa njohjen e këtyre gjuhëve mund të keshë vetëmse njohje tepër sipërfaqësore për proceset islame në botë.

Në të kaluarën nuk ka pasur rast që të formohet ndonjë organizatë ndërkombëtare islame, nuk ka pasur konferencë që nuk është bashkëdrejtuar edhe nga ish-reisi i BFI-së, ef Rexhepi! Sot, BFI-ja prezanton vetëm si figurë statike, sepse organizatorit i intereson një pjesëmarrje sa më masovike dhe nuk i intereson nëse një bilmez nga Maqedonia e Veriut do të prezantojë në konferencë apo jo! Aq më keq, nga qendra të caktuara arabe na vijnë informacione se “reisi” aktual këto takime i shfrytëzon kryesisht për të përfituar ndonjë “stipendi”, apo rrogë mujore prej tyre! Në të tilla rrethana dhe kushte humb edhe Institucioni i BFI-së! Fatkeqësisht!

Leave a Reply