Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit njoftoi se ushtria azerbajxhanase ka shkatërruar Divizionin 18. të Motorizuar të Këmbësorisë së ushtrisë armene duke neutralizuar edhe disa oficerë kryesorë të saj.
Ushtria armene vazhdoi të hapë zjarr mbi trupat dhe vendbanimet civile azerbajxhanase në drejtime të ndryshme të frontit pavarësisht armëpushimit.
Siç bën të ditur Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit, luftimet janë përqendruar në drejtimet e rajoneve Khojavend, Fuzuli dhe Gubadli të frontit.
Forcat azerbajxhanase parandaluan suksesshëm tentativat për sulm të ushtrisë armene, ndërsa kjo e fundit u spraps me humbje të mëdha.
Ministria theksoi se sulmet u zmbrapsën duke shkatërruar Divizionin 18. të Motorizuar të Këmbësorisë së ushtrisë armene dhe duke neutralizuar disa oficerë kryesorë, mes të cilëve edhe komandanti i këtij divizioni.
https://m.facebook.com/trt.shqip/videos/265332471565991/
Ushtria azerbajxhanase shkatërroi gjithashtu 1 tank “T-72”, 4 obusë “D-30” dhe 3 obusë “D-20”, 1 sistem kundërajror “Osa”, 1 sistem raketash “Grad”, 1 stacion radari dhe 6 automjete të ushtrisë armene; ndërsa neutralizoi një numër të madh të personelit ushtarak në zona të ndryshme të frontit.
“Situata në frontin e luftimeve është nën kontrollin e ushtrisë azerbajxhanase”, potencoi Ministria.
Ndërkaq, Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, njoftoi të hënën emrat e 17 fshatrave të çliruara nga pushtimi armen një ditë më herët.
“Ushtria azerbajxhanase çliroi fshatrat Birinji Alibayli, Ikinji Alibayli, Raband e Yenikand të rajonit Zangilan; fshatrat Govshudlu, Sofulu, Dagh Mashanli, Kurdlar, Hovuslu e Chalabilar të rajonit Jabrayil dhe fshatrat Padar, Afandilar, Yusifbayli, Chaytumas, Khanlig, Sariy e Mollaburhan të rajonit Gubadli”, deklaroi Presidenti Aliyev, cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve “Azertac”.
Rikujtojmë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan të dielën se Azerbajxhani dhe Armenia ranë dakord për herë të tretë mbi një armëpushim humanitar të përkohshëm në Karabakun Malor, i cili hyri në fuqi më datë 26 tetor, në orën 08:00 me kohën lokale.
Armëpushimi i parë, i arritur më 10 tetor, u shkel brenda 24 orësh dhe sulmet e raketave armene në qytetin Ganxha (Ganja) të Azerbajxhanit morën jetë civile.
Një armëpushim i dytë më 18 tetor u shkel gjithashtu nga Armenia.
Që kur përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator, Armenia ka sulmuar vazhdimisht civilët dhe forcat azerbajxhanase.
Deri më tani, të paktën 65 civilë azerbajxhanas kanë humbur jetën dhe 297 të tjerë janë plagosur, ndërsa 2.243 shtëpi dhe 90 banesa e apartamente janë shkatërruar. Gjithashtu 402 objekte civile janë dëmtuan në sulmet armene, sipas zyrtarëve azerbajxhanas./TRT/