Turqia arreston disa pjesëtarë të dyshuar të IS-it

Policia turke arrestoi të martën shtatë pjesëtarë të dyshuar të grupit “Shteti Islamik” (IS).

Arrestimet ndodhën në Ankara. Ata akuzohen për përgatitjen e sulmeve gjatë festave kombëtare në Turqi, njofuan mediat dhe zyrtarët.

Sipas informacioneve, ata po planifikonin sulme në Ditën e Republikës që shënohet të enjten dhe ceremonitë që mbahen më 10 nëntor në të cilat përkujtohet themeluesi i shtetit modern turk, Mustafa Kemal Ataturk, njoftoi transmetuesi NTV.

Forcat speciale të policisë bastisën shtëpitë e të dyshuarve, dy prej të cilëve besohej se kishin luajtur një “rol aktiv” në luftimet në Siri.

Zyra e kryeprokurorit publik të Ankarasë tha në një deklaratë se shtatë urdhra arrestimi për anëtarët e IS-it u lëshuan të martën dhe ata u arrestuan të gjithë si pjesë e dy hetimeve të ndara, por nuk dha më shumë detaje.

Kombësitë e tyre nuk u bënë të ditura.

Turqia u godit nga një seri sulmesh terroriste më 2015 dhe 2016 për të cilat u fajësuan IS-i dhe militantët kurdë.

Sulmi i fundit ndodhi në janar të vitit 2017 kur një person i armatosur vrau 39 njerëz në një klub elitar nate në Stamboll gjatë festimeve të Vitit të Ri, raporton AFP.

Leave a Reply