Bamirësia si pasqyrë e shpirtit

Altruizmi është shkalla më e lartë e bamirësisë. Ai që heq dorë nga të mirat personale, që heq dorë nga një pjesë e pasurisë së vet, që edhe nga kafshata e gojës së vet dhe të familjes heq një pjesë për një të varfër, për një nevojtar, për një të ngratë e për një jetim, dhe këtë veprim e bën vetëm për hirë të Allahut Mëshirëplotë, ky po që është bamirës

Nga Abaz Islami

Kohë më parë, në konferencën e rregullt ndërkombëtare organizuar në Egjipt, nën patronatin e Ministrisë për Çështje Fetare, me kumtesë para të pranishmëve qenka paraqitur edhe Shaqir Fetai, i vetëshpalluri “reis” i bashkësisë fetare të tij! Titullin “kumtesës” së vet ia paskësh lënë “Bamirësia – Fuqi e jo dobësi”, titull ky i padenjë edhe për nxënësit e klasës së parë, sepse është tepër qesharake, titull fiks për humoreska pa krip. Kush është ai person në botë që paska pas thënë se “bamirësia është dobësi” ndërkohë që, Shaqir Fetai, “pas shumë hulumtimeve” ka dalur me konstatim se “bamirësia qenka fuqi e jo dobësi”, me qëllim që t’ia përligjë definicionin atij që paskësh menduar se kjo vepër e kryer në emër të Zotit na qenka dobësi! Pha, çfarë zbulimi epokal ky i Shaqir Fetait!
Po le ta shohim se në ç’nivel është bamirësia e Shaqir Fetait. Cila është ana altruiste e tij! A ka marrur dikë më qafë, a ka dëbuar dikë nga puna, a e ka nxjerrë dikë nga puna duke ia vështirësuar jetën personale, të fëmijëve, të familjes! Me çka ka kontribuar Shaqir Fetai që të zbutet kjo situatë e mjerë. A ia ka ngulur dikujt thikën pas shpine, duke tentuar që t’ia varfërojë personalitetin deri në asgjësim total. Këto janë akte kriminale e jo bamirësie!
Cili është gjesti altruist i Shaqir Fetait! Me ç’farë ndihme humanitare personale ka ndihmuar ndonjë lypsa, ndonjë të varfër, ndonjë nevojtar. Kujt ia ka zgjatur dorën! Është e pamundur të ketë vepruar diçka në këtë drejtim, sepse, ndryshe, facebook-un e vet dhe të bashkësisë fetare të tij do ta kishte vërshuar me informatë mbi “aktin humanitar” të tij, për më tepër, pasi që dihet se Shaqir Fetai është i prirur që edhe qimen ta bëjë tra!
Shaqir Fetai, vetëm kur t’i vie veza, apelon për humanitet, duke e nxitur edhe popullatën që të shtrijë dorën e humanizmit, të kontribuojë financiarisht për mirëmbajtjen e “institucioneve arsimore” të bashkësisë së vet! Nisë e ndërmerr veprime në distribuimin e ndihmave të ardhura nga jashtë, ndërsa i paraqet si “bamirësi” e bashkësisë fetare. Duke manipluar në emër të bamirësisë që nuk është as e tij dhe as e Institucionit që e ka uzurpuar me ndihmën e subjekteve që skanë lidhje me islamin, ai mundohet që ta joshë popullatën që të bëjë po atë veprim humanitar që po “e bën” Shaqir Fetai!
Tani meqë jemi në prag të Muajit të Shenjtë të Ramazanit, ai do të “inskenojë” bamirësi, ndërsa për 1 muaj rresht tashmë është bërë traditë që për Ramazan BFI ta distribuojë ndihmën e ardhur nga institucinet fetare turke. Pastaj, bamirësia e Shaqir Fetait “ngrihet”, “konservohet”, “lihet në heshtje” për rrafsh një vit. Popullata e mjerë nuk ka më nevojë për ndihma humanitare, për asnjë ditë, javë dhe muaj pas Ramazanit. Në aspekt të humanitetit, çfarë ka bërë Shaqir Fetai që nga përfundimi i Ramazanit të vjemë e deri më sot? Asgjë, sepse, sikur edhe vetëm një përpjekje ta kishte bërë, (vetë)lavdërimi i tij do të prekte kupën e qiellit! Pra, ai, as si njeri, dhe as si “institucion” nuk ka shans të na ligjërojë mbi bamirësinë, sepse, në këtë aspekt biografinë e ka terr e të turpshme. A e ka keqpërdorur ndonjëherë ndihmën humanitare? Po, madje plotë herë. Madje ka edhe dëshmitarë të gjallë që mund ta vërtetojnë këtë konstatim, sepse jo një herë e kanë futur Shaqir Fetain në lojën e keqpërdorimeve të ndihmave humanitare.
Bamirësi është edhe përpjekja për ta shtuar vakëfin, për ta siguruar financiarisht mirëmbajtjen e jetës fetare islame, të imamëve, hoxhallarëve, profesorëve fetarë etj. Nuk do t’i zgurdullonte sytë pas vakëfit të Shkupit, por do të merrte të gjitha masat institucionale për ta ndëshkuar myftiun e Shkupit për përfshirje në keqpërdorim të vakëfit të denacionalizuar në formë letrash me vlerë. Bamirësia dhe Shaqir Fetai janë dy nocione paralele që kurrë dhe në asnjë moment nuk mund ta kenë një pikëprerje apo një pikëtakimi. Shaqir Fetai e di fare mirë që është antihumanist i regjur. E di fare mirë që jeta e tij është skajshmërisht e varfër në skenën e bamirësisë! Ndërsa Allahu Mëshirëplotë na porositë që të bëjmë sa më shumë vepra të mira, të cilat, që të gjitha regjistrohen si bamirësi në emër të Allahut. Shaqir Fetai nuk e kupton dhe nuk e do bamirësinë. Një vit të tërë të mos e bëjë një vepër bamirësie?! Po, ka bërë herëpaseherë duke ftuar kalimtarë të rastin për t’i qerasur me ndonjë çaj të BFI-së, për të shpenzuar kot e kot fitrin, zeqatin dhe kontributet vullnetare të myslimanëve të vendit të dhëna për zhvillim të jetës fetare. Dhe këtë jo për “bamirësi” por për moment për informatë që do ta “lartësojë ekselencën e tij”, Shaqir Fetain, si në fb-un e vet ashtu edhe në atë të bashkësisë së tij “fetare”! Fare në fund, bamirësi është edhe ruajtja dhe ushqimi i islamit burimor si dhe përcjellja e këtij islami te gjeneratat e reja, ashtu siç e mori (nëse e ka marrur?!) edhe Shaqir Fetai prej hoxhallarëve më të vjetër. Nuk është aspak bamirësi ngatërrimi i fesë me ideologjira të kota dhe të huaja, të paktën për shqiptarët myslimanë, siç po e toleron dhe po e ushqen Shaqir Fetai duke u munduar ta lë trashëgim këtë “traditë” të kobshme, sidomos për shqiptarët. Kur mercenarizmi kuptohet si mision “i shenjtë”, atëherë bamirësia kalon në dobësi dhe në akt “të shëmtuar”. Kuazibesimtari është zhvatës, ai nuk mund të jetë bamirës e t’i zbatojë urdhërat e Zotit të Madhërishëm.

 

Leave a Reply