Shqipëria pritet të shënojnë rritjen më të lartë në rajon për vitin 2021 me 7.2%.
Ky është vlerësimi që bën Banka Botërore, i cili është edhe më optimist se vet parashikimi i qeverisë prej 5,5%.
Megjithatë sipas këtij institucioni, që kjo rritje të jetë e qëndrueshme, duhet që politikat të orientohen drejt edukimit, inovacionit apo ekonomisë së gjelbër dhe jo në sektorë që japin kontribut afatshkurtër.
Lidhur me krizën e çmimeve që ka prekur vendin , Banka Botërore është e mendimit se qeveria duhet të përmirësojë skemat e saj të mbështetjes, ndërsa politika e uljes së taksave nuk është e duhura.
Sa i përket krizës së energjisë që po rrit kostot në buxhet, për Bankën Botërore, Shqipëria ka mundësi të vijojë më tej me reformat në këtë sektor ndërsa sugjerohet diversifikimi i burimeve.
Lidhur me shkallën e varfërisë, raporti i publikuar nga Banka Botërore evidenton se ka një tendencë rënëse të këtij treguesi, i cili për vitin 2021 arrin në 30.8% të popullsisë. Por sërish në raport me vendet e rajonit Shqipëria vijon të ketë nivelin më të lartë të varfërisë, ku 30.8% e popullsisë jetojnë me 5.5 dollarë në ditë.
“Qeveria duhet të ketë një qasje me aktive ndaj zbutjes së këtij fenomeni. Jo vetëm në përmirësim të mbështetjeve që jep aktualisht për familjet në nevojë por duhet të hapen me shumë vende pune, madje vende cilësore pune.”
Këto qëndrime u bënë publike në prezantimin e raportit ekonomik për Ballkanin Perëndimor nga Banka Botërore.