“Vodhi zgjedhjet për llogari të Ramës”
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzon Vangjush Dakon si pjesë të krimit të organizuar që vodhi zgjedhjet për llogari të Kryeministrit Edi Rama.
Në një postim në Facebook, kreu i demokratëve shkruan se Dako nuk është hetuar deri më tani për korrupsion, edhe pse Departamenti Amerikan i Shtetit i refuzoi vizën drejt SHBA-së për “përfshirje në raste korrupsioni”.
Sipas Bashës, Vangjush Dako mbrohet nga Kryeministri, e për këtë arsye kreu i demokratëve thotë se largimi i Ramës do të shkëpusë lidhjet e politikës me krimin.
“Hajduti psiqik po bën ç’të mundet që të harrohet bankomati i tij personal Vangjush Dako. Bën sikur nuk e di, nuk e sheh, nuk e dëgjon atë që sheh gjithë Shqipëria. Edhe pse SHBA e shpalli non grata Vangjush Dakon për “përfshirje në raste të mëdha korrupsioni” ai nuk ka dalë para drejtësisë për asnjë rast korrupsioni. Kjo sepse Dako mbrohet nga Rama. Ai nuk është thjesht një politikan i korruptuar por pjesë e krimit te organizuar, me të cilin vodhi zgjedhjet për llogari të pushtetit të Edi Ramës.
Vjedhjet e zgjedhjeve me krimin dhe grabitja e Durrësit janë bërë me mbrojtjen, dijeninë dhe për përfitimin e Edi Ramës që e mbron Vangjush Dakon, si bankomatin personal të parave të pista. Edi Rama i mbron kriminelët brenda dhe jashtë politikës, sepse me ta e merr dhe e mban pushtetin. Prandaj, largimi i Edi Ramës është zgjidhja për të shkëputur lidhjet e politikës me krimin, për të vënë qeverinë në interes të qytetarëve, jo të krimit dhe të oligarkëve me të cilët Rama vjedh dhe grabit çdo ditë shqiptarët”, deklaron Lulzim Basha.