Basha: Rama mashtroi për BKH! Vasjari: Të na qartësojë Donald Lu

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një prononcim për mediat paraditen e së enjtes mbi Byronë e Hetimit, deklaroi se“varianti që është publikuar nga qeveria nuk është ai që jemi dakordësuar, por një tjetër”.

“Rama tha se do priste rekomandimet e Venecias për Byronë e Hetimit, por 4 ditë më vonë ndryshoi mendje. Duhet të pyesni atë pse ndodhi kjo. Partia Demokratike mbështet draftin e ndërkombëtarëve. Nëse mazhoranca e ka këtë vullnet, ne e votojmë që sot. Por nëse nuk merret parasysh rakordimi me partnerët amerikanë dhe Komisionin e Venecias, drafti nuk do të votohet”, deklaroi Basha.

Kreu i PD-së theksoi se “pika që na ndan është që ky institucion të jetë 100% në autoritetin e prokurorisë”.

Por në kushtet kur palët kanë nisur një seri akuzash ndaj njëra-tjetrës për mashtrim sa i takon çështjes së BKH, analisti Arjan Vasjari e ka një propozim.

“Fakti se, edhe për Byronë Kombëtare të Hetimit, shoqëria e ka të pamundur të kuptojë cilët gënjejnë dhe cilët jo, nuk lidhet me paaftësinë e saj për të kuptuar të vërtetën, por me një quasi teologji sociale se, të vërtetat e politikës sonë nuk mund të kuptohen. Ato i di vetëm Amerika! Ambasadori Lu, me siguri e ka kuptuar këtë dhe me vetëdijen e atij që beson se çfarë përfaqëson për psikën e shoqërisë, i ka folur asaj shkoqur kur të vërtetat kanë ngecur në ingranazhet imorale të sistemit. Kështu bëri me dekriminalizimin, me reformën në drejtësi, me gjyqtarët e korruptuar, me emrat e banditëve që flirtojnë me politikën e me radhë. Duhej të fliste ai që të heshtin ata dhe të kuptonim ne. Brenda këtij triniteti janë vërtitur të gjitha gënjeshtrat perverse të politikës. Ambasadori na ka ndihmuar për të kuptuar të vërtetën. Por, ai mund të na ndihmojë edhe për të shpjeguar misterin e fundit: Kush gënjen për Byronë Kombëtare të Hetimit, qeveria apo opozita?” shkruan Vasjari në një editorial tek gazeta Mapo.

Leave a Reply