Në Vlorë, Lulzim Basha ishte në të njëtën ditë kur kryeministri Edi Rama prezantoi shërbimin e ri shëndetësor në qytet, por realiteti i opozitës ishte krejt i kundërt nga ai i qeverisë.
Akuzat për korrupsion me fonde shumë të mëdha ishin pjesë kryesore e fjalimit të kreut të opozitës.
“Nuk kanë se çfarë bilanci të prezantojnë Edi Rama dhe Koço Kokëdhima edhe kur guxojnë, siç guxuan sot, të vijnë e të flasin për spitalin psikiatrik. Të gjithë e dimë, filloi të ndërtohej në kohën kur Ministrinë e Shëndetësisë e drejtonte kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës, doktor Halim Kosova. Ata harrojnë të thonë kryesoren, programet investigative me kamera të fshehta treguan se si merrej 500 mijë lekë rryshfet për një KEMP”, deklaroi Basha.
Lulzim Bashën e ka ndërprerë një qytetare e cila denoncoi spitalin e Vlorës, që kishte refuzuar shtrimin në spital të djalit të saj të sëmurë rëndë.
“Realiteti është ky, por nga ana tjetër 5 milionë dollarë i kanë vjedhur nga fondi i kompensimit për insulinën dhe për sëmundjet e rënda. Lekët e të sëmurëve i kanë vjedhur. Deri këtu ka shkuar pashpirtësia”, tha Basha.
Ndërsa kandidati demokrat për Vlorën, Genc Deromemaj pati një premtim konkret për pjesën më të pamundur të familjeve në Vlorë: krijimin e një fondi kompensimi për energjinë elektrike.
“Para ca ditësh takova një grua e cila kishte shitur gjysmë litri gjak dhe këto lekë i kishte marrë e i kishte çuar për të paguar energjinë elektrike sepse kishte frikë të shkonte në burg. Ne do të bëjmë të mundur një fond rimbursimi për energjinë elektrike me vlerë 3.500 lekë për familje. Janë 6.000 familje që do t’i kushtojnë buxhetit të administratës së bashkisë nesër jo më shumë nga 21-22 milionë lekë të reja”, deklaroi Deromemaj.
Në rang kombëtar, Lulzim Basha kërkoi votën për Partinë Demokratike për të detyruar qeverinë, siç tha ai, të pranojë paketën e lehtësimit nga taksat dhe nga rritja e çmimeve.
“Zgjidhja dhe zgjedhja është shumë e thjeshtë. Koço, fraksion një, apo një vlonjat për Vlorën. Vota për Genc Deromemaj është vota për të ndalur të keqen që po përparon çdo ditë në familjet tuaja, por është po kështu vota për zbatimin e platformës sonë për uljen me 25% të çmimit të energjisë dhe faljen e kamatë-vonesave, uljes së çmimit të naftës, rritjes së konsumit përmes rritjes së fuqisë blerëse, heqjes së TVSH për mallrat e shportës, rritjes së rrogave e pensioneve. Këto janë propozimet tona, kjo është platforma jonë, kjo është oferta jonë”, shtoi Basha.