Kosovë, reforma e administratës publike në rrugën e duhur

Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë kanë paraqitur arritjet e deritanishme në reformën e administratës publike.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar ftoi kryeministrin Isa Mustafa, që të mbajë premtimet për reforma në administratë. Zhbogar tha se, reforma në administratën publike në Kosovë do të ndikojë në rritjen e demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe në sundimin e ligjit.

“Dy vite më parë, ne filluam të punojmë së bashku në kapitullin e ri të Kosovës për në procesin e integrimeve evropiane, me qëllimin që të aktivizojmë dhe ta forcojmë administratën publike në Kosovë. Një administratë publike përgjegjëse, efikase dhe moderne është kurrizi i një shoqërie funksionale, në gjendje që të punojë për shoqërinë dhe bizneset. Pa të, arbitrariteti dhe paaftësia minojnë besimin në shtet dhe kontrata shoqërore thyhet”, tha Samuel Zhbogar, përfaqësues i Bashkimit Evropian në Kosovë.

Ministri kosovar i Administratës Publike tha se, Qeveria tanimë ka hartuar ligjet, që e rregullojnë fushën e administratës publike, si dhe është hartuar një raport gjithëpërfshirës mbi zbatimin e strategjisë së reformës në administratë.

“Gjetjet e këtij raporti, jo vetëm që kanë ndihmuar në marrjen e informatave të detajuara për tërë procesin reformues, por kanë mundësuar edhe identifikimin e sfidave për t’u adresuar në strategjinë e re. Në sajë të gjetjeve dhe rezultateve, rreth 70 për qind e aktiviteteve të planit të veprimit për reformën janë përmbushur. Ne kemi nisur përcaktimin e kornizës strategjike të reformës së administratës publike dhe hartimin e dokumenteve të nevojshme, që dalin nga korniza strategjike. Madje, është shkuar edhe një hap më tutje, duke kaluar kështu nga reformimi, në modernizim të administratës publike”, tha Mahir Yagcilar, ministër i Administratës Publike.

Diskutimet e nivelit të lartë publik për reformën në administratën publike në Kosovë do të vazhdojnë edhe të martën, kur pritet të paraqesë vizionin për reforma edhe kryeministri Isa Mustafa.

Institucionet e Kosovës, në vazhdimësi janë kritikuar nga organizatat ndërkombëtare për mbingarkesë të numrit të punonjësve në administratën publike.

Leave a Reply