Fjalori politik i kryetarit të opozitës është pasuruar me elementin e protestës, të çdo forme proteste që i shkurton mandatin qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Për ta dhënë të qartë këtë mesazh, Lulzim Basha zgjodhi Kukësin, që në zgjedhjet politike të 2013-ës, rezultoi të ishte i vetmi qark ku koalicioni i Partisë Demokratike doli fitues.
“A keni mundësi me prit edhe një vit e gjysmë? Nëse jo, ju bëj thirrje ta filloni këtu nga Kukësi frymën popullore të ndryshimit dhe të jeni të sigurtë që në krah do të keni dibranë e korçarë, shkodranë e vlonjatë. Populli, qytetarët kanë të drejtë të marrin në dorë fatin e tyre. Mos t’i lëmë të keqes kohën ta gërryejë edhe më shumë shpresën që ka mbetur në këtë popull. Të ngrihemi e të frymëzojmë anembanë vendin përmes akteve të mosbindjes civile e të qëndresës, hapjen e një rruge të re për Shqipërinë”, tha Basha.
Demokratët nuk kanë caktuar ndonjë kalendar të afërt protestash, por ajo çfare sugjeron kryetari i Partisë Demokratike është e ngjashme me rrugën e revolucionit demokratik paqësor që propozon ish-kryeministri Berisha.
“Shteti që ndërtohet për shtetarët meriton të përmbyset me çdo formë, me çdo mjet demokratik popullor, duke e nisur me ekonominë, e cila është zhytur në greminë, jo prej Zotit, por prej kryeministrit, njeriut që ka vënë taksat më të larta në Ballkan, njeriut që u merr shqiptarëve taksën më të lartë të karburantit, njeriut që ka ngritur çmimin e energjisë elektrike, njeriut që nga njëra anë kërkon kacidhen e fundit nga qytetarët e tij, e nga ana tjetër këto para i bën rrush e kumbulla për Papule e Carapule”, deklaroi kreu i PD-së.
Kur u foli qytetarëve të Kukësit për mënyrën e qeverisjes, Lulzim Basha u kujdes të bëjë dallimin e qartë mes tij dhe Edi Ramës.
“Kur të ngriheni ta dini se në fund të një rruge, që të gjithë e dimë se çfarë rruge është, ajo kur ngrihet populli, ajo është fundi i çdo qeverie autokratike, arrogante dhe të padrejtë. Por duhet ta dini se qeveria për të cilën ngriheni do të japë llogari përpara jush që nga çasti i parë. Ju jap fjalën e nderit sot si kryetar i opozitës dhe i Partisë Demokratike, e nesër me besimin tuaj kryeministër, se gjëja e parë që do të bëjmë është ulja e taksave. Taksat më të ulta në Ballkan do t’i paguajnë kuksianet dhe gjithë shqiptarët, çmimin e energjisë për qytetarët do ta ulim, kamatëvonesat e bandës së OSHEE-së do të falen pa kusht për të gjithë shqiptarët nga Jugu në Veri”, premtoi Basha.