Ndihmë për përshpejtimin e vaksinimit në vendet e rajonit
Bashkimi Europian ka akorduar një fond të ri prej 7 milionë eurosh për procesin e vaksinimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Projekti i ri në bashkëpunim me OBSH-në synon përshpejtimin e injeksioneve në vendet e rajonit, përmes përshpejtimit të dërgimit të dozave nga mekanizmi COVAX dhe vendet anëtare të unionit, siç thuhet në një deklaratë për shtyp të Komisionit Europian ku citohet edhe komisioneri për zgjerimin Oliver Varhelyi.
“Projekti është pika kryesore e paketës prej 70 milionë Euro për të mbështetur furnizimin e rajonit me vaksina dhe për prodhimin e mjeteve të nevojshme logjistike për këtë fushatë”, tha Varhelyi.
Prej rreth 1 viti që prej nisjes së pandemisë, Komisioni Europian thotë se u ka dhënë vendeve të Ballkanit Perëndimor 3.3 miliardë Euro në total për përballimin e krizës së pandemisë së koronavirusit.
Bashkimi Europian ka dhënë po ashtu 850 milionë Euro ndihmë për nismën e përbashkët COVAX ku bën pjesë edhe Shqipëria, fond që synon të garantojë blerjen dhe shpërndarjen e 1.3 miliardë dozave të vaksinave për 92 vende të varfra dhe në zhvillim deri në fund të këtij viti.