BE përshëndet vizitën e Vuçiç. Hahn: Urime udhëheqësve për qëndrimet e përgjegjshme

Brukseli vlerëson forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Tiranës dhe Beogradit, si dhe mikpritjen shqiptare, siç e thekson në reagimin e tij Komisioneri i BE-së, Johannes Hahn.

“Një vizitë kthimi historike e kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç, në Shqipëri, i mirëpritur nga kryeministri shqiptar, Edi Rama. Urime të dy udhëheqësve për përpjekjet e tyre konstruktive dhe të përgjegjshme”, vlerësoi Hahn në Twitter, paraditen e së enjtes.

Pavarësisht qëndrimeve të kundërta mbi Pavarësinë e Kosovës, takimi Rama-Vuçiç shënon progres për bashkëpunimin rajonal, por dhe për procesin e integrimit europian të këtyre dy vendeve, siç sqaroi zëdhënësja Koçijançiç, kur u pyet nga Top Channel mbi këtë çështje.

“Ne e mirëpresim vizitën e kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç, dje në Tiranë dhe e shohim atë, si kthim të vizitës së kryeministrit Rama në Beograd, në fund të vitit të kaluar. Ne besojmë se, kjo përbën një hap pozitiv për forcimin e bashkëpunimit rajonal, sikundër dhe për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, si dhe inkurajojmë të dy kryeministrat e Serbisë dhe Shqipërisë, që të vazhdojnë të tregojnë aftësi drejtuese dhe përgjegjësi, të nevojshme për vijimin e paqes, qëndrueshmërisë dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor. Ne besojmë se, kjo është gjithashtu e rëndësishme në kuadër të progresit të mëtejshëm të tyre, përsa i takon përshpejtimit drejt rrugës europiane, në përputhje me angazhimet e marra për vlerat dhe standardet e BE-së”, tha Maja Koçijançiç, zëdhënëse e KE-së.

Një ditë më parë, për këtë reagoi menjëherë në Twitter edhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz, duke e quajtur “vizitë historike e të rëndësishme, për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit rajonal”.

Leave a Reply