Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se Rusia është duke përdorur gazin natyror për ta shantazhuar Moldavinë, një nga kombet më të varfra në Evropë.
Moldavia ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për energji javën e kaluar, pasi kontrata e saj për gaz me kompaninë shtetërore ruse, Gazprom, ka skaduar në fund të muajin të kaluar dhe të dyja palët kanë dështuar që të pajtohen për detajet e një marrëveshjeje të re afatgjate.
Gazprom ka zgjatur kontratën deri në fund të muajit tetor, duke e rritur çmim në 790 dollarë për metër kub për dallim nga 550 dollarë sa ishte muajin e kaluar.
“Në terma globalë, rritja e çmimit të gazit në gjithë botën nuk është pasojë e përdorimit të furnizimeve me gaz si armë, por në rastin e Moldavisë është kështu”, ka thënë Borrell në një konferencë për media, bashkë me kryeministren moldave, Natalia Gavrilita në Bruksel.
Rusia ka kërcënuar me ndalim të furnizimeve me gaz në këtë ish-republikë sovjetike, nëse deri në fund të vitit nuk vazhdohet kontrata aktuale.
Disa vëzhgues kanë thënë se Moska ka rritur çmimet si shenjë hakmarrjeje ndaj Moldavisë, për zgjedhje të presidentes pro-perëndimore, Maia Sandu, vitin e kaluar.
“Në rastin e Moldavisë, karakteristikat politike duhet të merren parasysh… Në rastin e Moldavisë ka rritje të madhe të çmimeve, që janë të lidhura me problemet politike, andaj ka nevojë për ndihmën tonë”, ka thënë Borrell.
Bashkimi Evropian është zotuar se do të ndajë 60 milionë euro si ndihmë për Moldavinë./REL