Berisha: Betejë nesër në Parlament me Ramën

Prishja e ndërtimeve para 50 viteve, për interesa mafioze

Seanca plenare e të enjtes pritet të sjellë debate të ashpra në sallën e parlamentit gjatë diskutimit të mocionit me debat që opozita ka kërkuar me Kryeministrin Rama, për atë që ajo e cilëson afera “McGonigal”.

Nga mbledhja e grupit parlamentar, Berisha ndau porositë për deputetët e opozitës të cilët nesër nuk do të protestojnë përpara kuvendit, por betejën e tyre do ta bëjnë nga foltorja e parlamentit.

“Nesër në Parlament atij do t’i numërohen në sy një për një e gjithë veprimtaria supermafioze me akte të veçanta që ai ka kryer me një tradhtar të kombit amerikan”.

Ndonëse Kryeministri Rama u shpreh se nuk do lejojë ngritjen e një komisioni hetimor për çështjen “McGonigal”, Berisha ripërsëriti se opozita nuk heq dorë nga e drejta e saj kushtetuese.

“Duhet hetuar listat e shpërndara në të cilat dalin qartë emrat e Edi Ramës, Lulzim Bashës, etj”.

Pas projektvendimit të qeverisë për prishjen e godinave 50-vjeçare, Berisha tha se qëndrojnë interesa të mafies së ndërtimit. Sipas tij, në vitin 1992 u privatizuan 200 mijë apartamente në mbarë vendin ku qytetarët u bënë gjithashtu edhe pronarë të truallit.

Për kreun e demokratëve, ky akt i qeverisë shqiptare është i paprecedentë.

“Nuk ka punë shteti më as me pallatin as me truallin dhe e gjitha kjo është absolutisht në interes të trafikantëve, i cili i ve syrin asaj shtëpie në kodër, jo thotë në kodër do ndërtoj unë, ik se e ke të vjetër ti. Të tjera ka dhe ndërtime të viteve 700 dhe s’merr kush përsipër t’i prishë. Kjo është e padëgjuar”.

Për këtë çështje si dhe aksionin e opozitës nesër në seancë planare Berisha u takua përpara mbledhjes së grupit parlamentar edhe me aleatin e tij Ilir Meta.

Leave a Reply