Masakër në Paskuqan, 2 të vrarë dhe 2 të plagosur

Ky që shihni në foto është 40-vjeçari Dan Hutra, autori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë në Paskuqan dhe plagosjes së dy shtetaseve të tjera të të njëjtës familje.

Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 12:30, ku Hutra, një person me precedentë penalë, ka shkuar në banesën e familjes Hysa në rrugën “Rustem Haklaj”, në Kodër-Kamzë dhe ka qëlluar me breshëri kallashnikovi.

Ai la të vdekur motrën e ish-bashkëjetueses dhe kunatën e saj, Mevlute Hysa dhe Hasune Dafku, si dhe plagosi ish-bashkëjetuesen e tij Elena Hysa dhe nënën e saj Kujtime Hysa.

Pas ngjarjes së rëndë, e cila dyshohet të jetë pasojë e shkëputjes së marrëdhënies dhe konflikteve të vazhdueshme, Dan Hutra u largua me një makinë, duke marrë me vete edhe armën e krimit.

Genti Mullaj, zëdhënës i Policisë së Shtetit për mediat: “Është person i rrezikshëm, i kërkojmë qytetarëve të ndihmojnë, Policia e Tiranës është në kërkim“.

Familjarët u shprehën të tronditur për mediat dhe thanë se ai kishte qenë edhe më herët i dhunshëm.

Dan Hutra ishte liruar nga burgu 1 javë më parë pasi ishte vënë në pranga në 16 Qershor të 2022 për dhunë në familje. Ndërkohë burime të Tv Klan thanë se ish-bashkëjetuesja e tij, Elena Hysa kishte edhe urdhër mbrojte.

40-vjeçari gjithashtu ka qenë i dënuar më parë për vrasje në familje dhe kishte shlyer një dënim për vrasjen e gruas së tij në vitin 2007.

Leave a Reply