“Akuzat e SPAK-ut, dacibao politike”
Pasi u tha demokratëve se është në luftë me Edi Ramën, ish-Kryeministri Sali Berisha kërkoi mobilizim nga të vetët.
Pasardhësin e tij në krye të qeverisë e paralajmëroi nga mbledhja e kryesisë se pas betejës në parlament, opozita nuk do të ndalet deri në rivendosjen e demokracisë në vend.
“Tani është koha të ngrihemi. Beteja pa kthim kërkon sakrifica. Të shpërndahemi në marrëdhënie në një dialog, në një emergjencë”, tha Berisha.
Në një tjetër dalje përpara gazetarëve, Berisha i cilësoi sulme politike hetimet e nisura nga SPAK-u ndaj tij dhe Jamarbër Malltezit për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.
“Procesi politik të shekullit. Çdo pushtet në Shqipëri përcaktohet dhe kontrollohet nga Edi Rama nëpërmjet 4-5 larove të tij skapistë”.
Poshtë hodhi çdo akuzë se Malltezi ka përfituar nga vendimi i qeverisë për përdorimin e letrave me vlerë, teksa sqaroi se ndryshimet e vitit 2006 në ligjin për pronat sollën risi në procesin e njohjes, kthimit dhe kompensimit.
“Ky vendim doli 1 muaj pasi ata kishin paguar 88.6% të shumës për objekte të ndërtuara në tokën e konfiskuar për 15 vite me radhë”.
Tha se nuk ka frikë aspak të përballet me drejtësinë, ndaj dhe Edi Ramën sërish e ftoi që të votojë në parlament ndryshimin kushtetues të propozuar prej tij në vitin 2012.
“Neni i Kodit Penal është në favor të kufizimit, por duhet të pasqyrohet në Kushtetutë. Hajde ta votojmë që nesër, ta fusim në Kushtetutë”.
Për të diskutuar për situatën politike në vend dhe hapat që Partia Demokratike do të ndërrmarrë në vijim, Berisha ka thirrur pasditen e të premtes mbledhjen e Këshillit Kombëtar.