Berisha: Nesër nuk largohemi pa çliruar selinë

Basha të mos fshihet pas mercenareve. E shtuna e gjen jashtë godinës

Ish -kryeministri Sali Berisha erdhi në selinë blu për t’i dhënë Lulzim Bashës të fundit paralajmërim duke i kujtuar se nesër do të dalë me pekule nga selia blu. I bindur se e shtuna e gjen Bashën jashtë godinës lideri historik i demokratëve u kujdes t’i tregonte edhe mjetet që do përdoren paqësisht për ta nxjerrë jashtë atë që e cilësoi pengmarrës.

“Do dalë me pekule. Do e hapim me mjete teknike. Nuk ka diskutim që dyert do të hapen në mënyrën më të vendosur, që selia do t’u rikthehet demokratëve. Selia nuk ka blind apo beton që mund të pengojë demokratët shqiptarë, si njerëz të lirë të rikthejnë këtë ndërtesë nga burg që e ka shndërruar Edi Rama me pengun e tij Lul Brava”.

Deputetët e rreshtuar në krah të Lulzim Bashës i ftoi të bashkohen në protestën paqësore të së shtunës.

“Ftoj që nesër të gjithë deputetët e PD të bashkohen këtu me anëtarët e tyre. Të mos qëndrojnë më asnjë minutë me një njeri që partinë për të cilën ata investuan, i bëri ata deputetë, i lartësoi si përfaqësues të popullit në një parti bravash dhe bunkeri”.

Nuk mundet që ju të dashur deputetë të pranoni më tutje këtë tragjedi që luhet në kurrizin tuaj për interesa të Ramës. Prandaj jeni të ftuar të bashkoheni nesër.

Anëtarësisë i kujtoi që ditën e nesërme të jenë me kartë.

“Ftoj anëtarët e PD t’i marrin kartat e anëtarësisë me vete që të ja tregojnë pengut të Edi Ramës se jemi këtu në emër të tyre”.

Protesta jonë është paqësore dhe arma jonë më e fuqishme është vendosmëria për realizimin e qëllimeve tona në mënyrë paqësore.

Ndërsa Lulzim Bashës i kërkoi të mos fshihet pas mercenareve. Pas deklaratës Berisha ndau edhe një kafe me gazetarët duke u larguar me pas.

Më herët në selinë blu tentuan të hyjnë edhe mbështes se Berishës por që sërish dyert i gjetën të mbyllura.

Leave a Reply