“Rama, nën hetim. Disa ministra kanë paraqitur dorëheqjen”
Ndryshe nga Kryeministri Rama që tha se shkak për mungesën e tij prej disa ditësh në skenën politike e justifikoi me virusin gripal, Sali Berisha ka një tjetër version. Kryedemokrati e akuzoi se po përdor kodin e heshtjes përballë skandalit “McGonigal”, ku thotë se kreu i qeverisë është i përfshirë.
Sali Berisha: U zhduk me kodin e heshtjes nuk foli asnjë fjalë, u sëmur nga gripi diplomatik. Burimet thonë se fluturoi jashtë vendit.
Akuza adresoi edhe ndaj Lulzim Bashës për heshtje ndaj kësaj çështje.
Sali Berisha: Edhe viktimë Basha ka mbyllur gojën si me zinxhir. Nuk flet prej shtatë ditësh asnjë fjalë sikur nuk ekziston.
Tha se ndaj kryeministrit ka nisur një hetim në Shtetet e Bashkuara dhe se disponon prova që disa prej ministrave të kabinetit qeveritar kanë paraqitur dorëheqjen për shkak të takimeve që sipas Berishës kanë pasur me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së.
Sali Berisha: Edi Rama me vendim të gjykatës të SHBA-ve është nën hetim. Nuk është vetëm Rama, janë ministrat, agjencitë e lidhura. Ka ministra që kanë paraqitur dorëheqjen për shkak të kontakteve që kanë pasur me McGonigal. UNë disponoj dokumenta autentikë, por do i bëj publike në momentin e duhur.
Të vetmit emra që përmendi si të përfshirë në interesa ruse, ishin ai i Damjan Gjiknurit dhe Kryebashkiakut Veliajt.
Sali Berisha: Ky është Damian Gjiknuri. Erion Veliaj kreu një udhëtim të fshehtë, është në tavë, është kokë e xhep i implikuar.
Kryetari i PD-së i bëri thirrje FBI-së dhe agjencive të tjera të Shteteve të Bashkuara që të hetojnë lidhjet e McGonigal me Kryeministrin Rama.