BFI dhe BDI në koalicion për zgjedhjet lokale

Komunitetet fetare sikur u dakorduan me pushtetin aktual për mbarëvajtjen e procesit të regjistrimit, ndonëse Kisha Ortodokse Maqedonase, doli hapur se nuk do të përfshihet në këtë proces. Pastaj i mblodhi Bujar Osmani, të cilin takim e bëri publik vetëm Shaqir Fetai dhe Bujar Osmani! Liderët e tjerë fetar as që e regjistruan “n’rabush”. Sot Shaqir Fetai paska mbajtur pres konferencë me Artan Grubin. Ka ngelur ta takojë vetëm edhe portirin e selisë së BDI-së

Shkruan Sabit Ibrahimi

Gjithnjë sa po afrohen zgjedhjet lokale, por nuk është çudi nëse mbahen bashkë edhe me zgjedhjet parlamentare, po aq më shume po shpeshtohen takimet e funksionarëve të BDI-së me Shaqir Fetain, instalacionin e pushtetit maqedonas në BFI! Kjo do të thotë se, BDI po përgatitet për një koalicion parazgjedhor me BFI-në e Shaqir Fetait. Kushti i vetëm do të jetë: përkrahja e Shaqir Fetait me kthimin e borxhit në natyrë – xhamitë t’i shndërrojë në shtabe të BDI-së. Jo vetëm kjo por, edhe të tremben me mosregjistrim të fëmijëve medresantë nëpër fakultete të të gjithë hoxhallarëve që do të pozicionohen nëpër frakcione të BDI-së që veçmë sa nuk kanë shpërthyer. Kjo u diskutua, veç të tjerash, në takimin Fetai-Grubi, dy nga personat më të urryer dhe dy nga shkaktarët kryesorë për plasaritje kombëtare e fetare në trungun shqiptar këtu në RMV.
Në konferencën për media, moderatori Shaqir Fetai, nënvizoi se këta dy tullusuma paskan biseduar për tri çështje jetike për shoqërinë tonë: për regjistrimin e diasporës sonë, për akreditimin e Medresesë si dhe për kthimin e vakëfit!

Regjistrimi i popullatës si çështje jetike shqiptare

Shaqir Fetai thotë se regjistrimi i popullsisë qenka çështje jetike për shoqërinë tonë. Rrenë Shaqir Fetai, apo është futur në skema të huaja, sepse ky regjistrim ka qenë, ështe dhe do të jetë jetike vetëm për shqiptarët e RMV-së.
Shaqir Fetai rrenë edhe kur thotë se tashmë i kemi angazhuar të gjitha Unionet në diasporë që të apelojnë nëpër qendrat tona me qëllim që të regjistrohen sa më masovikisht! Qendra, Shaqir Fetai u thotë xhamive tona, të cilat frekuentohen nga, hajde të themi, 20-30 myslimanë standard në ditë, të cilë nuk jane që të gjithë shqiptarë. Këta myslimane janë kryesisht të gjeneratës më të vjetër të cilën nuk i kanë punët mirë me teknologji! Duhet t’i lusin fëmijët të cilët në masë prej 70 për qind nuk e dinë gjuhën shqipe të shkruar e aq më pak gjuhën maqedonase. A është përpjekur Shaqir Fetai që formularet me dhjetra pyetje t’ua përkthejë në gjuhën zyertare me të cilën komunikojnë këta të rinjë?
Nuk ka ditë që nuk u shahet nëna funksionarëve në RMV si dhe që nuk ua mbyllin gojën propagandistike hoxhallarëve në diasporë të cilët mund të apelojnë për regjistrim por që ky proces ua prish nervat shqiptarëve, sepse nuk ua pranon numri amë!
Këta qeveritarë tanë, a kanë ngritur ekip zyrtar për të kontrolluar se sa nga “numrat amë” të shqiptarëve nuk janë të regjistruar në kompjutorë! Ti mund të keshë shtetësi e çertifikatë të lindjes me gjithë numrin amë, por, mund edhe të mos jeshë i evidentuar në kompjutor! Përpjekjet individuale të funksionarëve shqipfolës për ta përgënjeshtruar këtë të vërtetë janë të kota dhe të urdhëruara nga punëdhënësit e tyre, kjo duhet të jetë çështje e komisioneve të veçantë kombëtar e ndërkombëtar.
Shqiptarët këtë proces janë të interesuar ta çojnë deri në fund dhe sa më masovikisht të regjistrohen, nëse nuk e stopojnë Zajevi-Ahmeti, siç e stopuan Gruevski-Ahmeti, atëherë kur në gjysëm të procesit u kuptua se shqiptarët po e tejkalojnë 30 për qindëshin.
Shaqir Fetai nuk duhet të përfshihet në këtë proces, sepse ky akt nuk do të mund ta rehabilitojë dhe t’ia shlyej mëkatet e kryera antikombëtare nën pseudonimin policor serb ORAO! Shaqir Fetai mund të jetë dëm i madh kolateral, sepse, nëse mund ta “duan” udhëheqësit e qendrave si objekte, ai urrehet me të madhe nga popullata myslimane që i përket diasporës sonë. Tashmë një përqindje bukur e madhe e diasporës sonë nuk po pranojnë të regjistrohen vetëm për inat të Shaqir Fetait. Ata nuk pranojnë “sugjerime” nga UDB dhe nga udbashët, aq më pak nga ORAO! Shaqir Fetai në këtë rast do të punojë vetëm për dy interesa: 1. është interes i UDB-së dhe i kishës serbo-maqedonase që të dalin sa më pak shqiptare dhe myslimanë dhe, 2. është interes i dyfishtë i Shaqir Fetait: a) për t’u dëshmuar se sa aktiv dhe i suksesshëm që është ky “ujk i vjetër” me emrin ORAO dhe, b) nëse del i suksesshëm procesi të pranohen “meritat” edhe të Shaqir Fetait, sepse, elbete, mund ta rehabilitojnë “patriotët me bateri”!
Jo rastësisht pastaj, njëri prej themeluesve të BDI-së do të shpreh shqetësimin e vetë duke thënë se po ndodhin disa dukuri që nuk shkojnë në të mirë të BDI-së. Pse a qenka e mirë e kësaj partie koketimi me Shaqir Fetain të cilin nuk e pranon më shumë se gjysma e Çegranit pikërisht për shkak të së kaluarës së tij dhe familjarëve të tij si udbashë.

A mund të bëhet arsimimi pazar

Opinioni i gjërë tashmë është informuar se çka po ndodhë me medresantët tanë. Kemi reagimin e një hoxhe të cilit ia larguan vajzën nga fakulteti. Nuk pat kurrfarë solidarizimi me këtë hoxhë! Kolegët e tij, hoxhallarë, heshtën, nuk iu bashkangjitën në protestë! Kjo, ose ndjehen të turpëruar që i kanë fëmijët e tyre në medrese, ose, duke u angazhuar për pozitën “hoxhë” praktikisht dëshmojnë se nuk janë prindër, apo nuk janë falënderues ndaj Krijuesit të tyre që i bëri prindër për ta derdhur edhe mishin e trupit për fëmijët e tyre. Ky është problem i tyre, problem shoqëror është që Shaqir Fetai arsimimin e gjeneratave të reja e pranon, e legalizon dhe e zyrtarizon si pazar ku edhe mund të këmbehen mallrat. Dëgjueshmëri e servilizëm për regjistrim të medresantëve kundër vullnetit të tyre, vetëm në ato fakultete ku ka vende të lira!
Qenkan në fazën e zgjidhjes së problemeve! Kush e shkaktoi këtë problem? Pse e shkaktoi? Për interes të kujt u shkaktua? Kush ka interes më të madh për ta abroguar këtë vendim? A është interesi më i madh dhe më jetik për shoqerinë tonë i LSDM-KOM-it apo i BDI-BFI-së. Duke e ditur se çka i bënë BFI-së Shaqir Fetai dhe BDI, po del puna se i vetmi interes po ngel ai i LSDM-KOM-it që mos të akreditohet Medreseja, jo një herë në raport disproporcional 800 (medresantë) me 80 (bllagosllovianë)!
Shaqir Fetai ndahet i kënaqur nga premtimi i Grubit se do ta shqyrtojnë këtë vendim që pa nevojë e kanë miratuar vetë ata (qeveria)! Po çka do të bëhet me ata djem e vajza që po e humbin vitin si pasojë e dëbimeve hitleriane nga fakultetet? Natyrisht, kjo dukuri nuk mund të jetë brengë e ORAO-s!

Vakëfi

Shaqir Fetai shprehet i kënaqur se kjo qeveri paska kthyer diçka nga “vakëfi”, edhe pse pritej më shumë! Kjo qeveri nuk ka kthyer asnjë vakëf, asnjë pronë, por, i ka vlerësuar vetë dhe ka caktuar çmim, pra, ka ndarë bono në vlerë! Dhe krejt ajo çfar është kthyer dhe vendimet që janë tanimë në pritje të realizimit, janë rezultat i presioneve permanente nga ish-Reisi, Sulejman Rexhepi. Pra bëhet fjalë për vendime të viteve 2018 dhe 2019 për të cilat është punuar për disa vite me radhë! Dikush e ka lënë atë pronë si amanet për ta zhvilluar jetën fetare islame e jo për të marrë rrogë Shaqir Fetai apo Qenan Ismaili i cili për këto vakufe nuk kanë dhënë as më të voglin kontribut! Vakëfi e ka dedikimin e vet të shenjtë dhe, çdo tjetërsim i këtij dedikimi, është grabitje, është shitje e pronës për të futur para në xhep!
Nga ana tjetër, nuk ka kthim të pronës apo të bonove në vlerë pa sekserë. Sekserët punojnë për palën e tretë, për palën nga i cili varet denacionalizimi! Kërcet 20 përqindëshi gjithandej, aq më tepër tani në prag të zgjedhjeve lokale dhe, mbase edhe parlamentare. Tani të gjithë shprehin interesim për decentralizim, vetëm a jeni të gatshëm të bashkëbisedoni me sekserët, sepse na duhen lekët për zgjedhje lokale dhe parlamentare; na duhen lekët për të blerë vota dhe pushtet. Shaqir Fetai e do pushtetin, prandaj qëllimisht ka harruar se me paratë e vakëfit duhet të shtohet vakëfi e jo pushteti. Vakëfi duhet të shtohet, sepse ështe konceptuar si burim financiar që i shërben ekskluzivisht fesë islame.

Leave a Reply