Biden, ndëshkim për drejtuesit e bankave që falimentojnë

Kjo lëvizje e Presidentit amerikan vjen pas falimentimit të bankave ‘Silicon Valley’ dhe ‘Signature’

Kreu i Shtëpisë së Bardhë Joe Biden i ka bërë thirrje Kongresit që të lejojë Entet Rregullatore të caktojnë ndëshkime më të ashpra ndaj drejtuesve të bankave që falimentojnë.

“Forcimi i llogaridhënies është i rëndësishëm për të parandaluar keqmenaxhimin në të ardhmen. Kongresi duhet të veprojë për të vendosur dënime më të ashpra për drejtuesit e lartë të bankave, keqmenaxhimi i të cilëve kontribuoi në dështimin e institucioneve që ata drejtonin”, tha Biden.

Biden kërkon që Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave të jetë në gjendje t’i ndalojë drejtuesit e këtyre bankave të punojnë në një bankë tjetër si dhe të marrë mbapsht paratë me të cilat ata janë paguar për punën e kryer.

Aktualisht ky institucion mund të marrë mbrapsht vetëm pagesat që u janë bërë drejtuesve në bankat më të mëdha në vend.

Kjo lëvizje e presidentit amerikan vjen pas falimentimit të bankës ‘Silicon Valley’ dhe asaj ‘Signature’, zhvillime që tronditën industrinë globale bankare.

Kongresi tashmë ka filluar të trajtojë pasojat e falimentimit të bankave në ekonominë e vendit.

Leave a Reply